» Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit
Postuar më: 10/11/2012

Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit

Sistemi i Burgjeve Shqiptare, sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në një perspektivë afatshkurtër ka synuar përafrimin e mëtejshëm e legjislacionit penitenciar shqiptar me atë komunitar dhe zbatimin e plotë i tij, përmirësimin e kushteve të strehimit dhe sigurisë së personave me liri të kufizuar, si dhe rritjen e veprimtarive me karakter rehabilitues. Masat zbatuese sipas kësaj marrëveshje përfshijnë:

Vënia në efiçensë të plotë të paraburgimit të ri në Elbasan: Qendër paraburgimi e re në Elbasan, me kapacitet prej 120 vendesh, është ndërtuar në mbështetje të Master Planit të Sistemit të Paraburgimit në Shqipëri të vitit 2004. Ky është një financim i IPA 2007, me një vlerë prej 3.4 milion euro nga ndërtimore dhe 500.000 Euro për pajisje dhe mobilim. Me urdhrin nr. 120/1 datë 27.02.2012 të Ministrit të Drejtësisë “Për një shtesë në urdhrin nr. 329 datë 16.01.2009 “Për kategorizimin e IEVPenale”, i ndryshuar, IEVPenale Elbasan është kategorizuar institucion paraburgimi. Më datë 03.10.2012 është hapur dhe vënë në funksionim IEVPenale Elbasan. Me urdhrin nr. 7013/1 datë 21.11.2012 të Ministrit të Drejtësisë është miratuar Rregullorja e Brendshme e IEVPenale Elbasan. Miratimi i kësaj rregulloreje ka pasur si qëllim përcaktimin e rregullave, mënyrës së organizimit në IEVPenale për një zbatim efikas dhe të drejtë të ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të p/burgosurve dhe të legjislacionit në fuqi për sistemin penitenciar, në funksion të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, rehabilitimit social, individualizimit të trajtimit.

Trajnimi i stafit të sapozgjedhur civil e policor të paraburgimit të Elbasanit: Pas përzgjedhjes dhe rekrutimit të stafit të IEVP Elbasan, Qendra e Trajnimit të Burgjeve ka organizuar trajnimin e të gjithë stafit. Duke qenë se pjesa më e madhe e stafit me uniformë janë transferuar nga IEVP të tjera, pra kishin eksperiencë të më përparshme, trajnimi është organizuar në tre nivele. Niveli i parë ishin punonjës të rinj, me uniformë të cilët kanë filluar punë për herë të parë. Ky grup është trajnuar në Qendrën e Trajnimit, me program të plotë 6 javor, të ndarë në dy faza. U trajnuan gjithsej 20 punonjës me uniformë të rolit bazë. Niveli i dytë përbëhej nga punonjës me uniformë të nivelit bazë, të cilët janë transferuar nga IEVP të tjera. Janë trajnuar për dy javë në IEVP Elbasan, 50 punonjës. Niveli i tretë kanë qenë stafi i shërbimeve të tjera, punonjës social, shëndetësor, menaxhues të burimeve njerëzore, financave, ligjor, etj., të cilët janë trajnuar për funksionimin e institucioneve penale, misioni, vizioni, objektivat themelore, menaxhimi, struktura e komunikimit, integriteti dhe kodi i sjelljes, ndërtimi dhe funksionimi i ekipeve, menaxhimi i kërkesave dhe ankesave, praktika e dokumentimit dhe protokollet etj. Trajnimi është shoqëruar edhe me praktikë duke bashkëpunuar me drejtuesit e IEVP-ve te tjera, ku stafi nga niveli drejtues deri në nivelin e administratës është dërguar për praktikë dhe shkëmbim eksperience për një jave.

Realizimi i një sistemi të veçantë për punësimin e të dënuarve dhe paraburgosurve: Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve miratuar me VKM nr. 303 datë 25/03/2009, e ndryshuar, Kreu III Puna e të burgosurve nenet 83, 84, 85, 86 , 87, 88, përcakton qartë procedurat e punësimit të burgosurve, shpërblimin për punën, rregullat e funksionimit të Komisionit të Përhershëm të Vlerësimit të Punës në burgje, procedurat e vlerësimit dhe miratimit të kërkesës për të zhvilluar aktivitetin e punës, si dhe zbatimin e projekteve të punësimit. Në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve të punësimit çdo Institucion i Ekzekutimeve të Vendimeve Penale, ka hartuar organikat e punës për të burgosurit mbështetur në nevojat e tyre dhe kërkesat e të burgosurve për t’u përfshirë në aktivitete punësimi. Mbështetur në këto organika, numri aktual i të burgosurve të përfshirë në aktivitet punësimi në të gjithë sistemin e burgjeve është 606 persona. Të dënuarit dhe paraburgosurit janë të punësuar brenda IEVP, sipas nevojave të institucioneve. Me shkresë nr. 10053, datë 04/11/2010, organikat e punës të hartuara në mënyrë specifike për çdo IEVP, sipas profesioneve të ndryshme dhe kostos ditore të burgosurve, janë dërguar për miratim pranë Ministrisë së Drejtësisë, për vijimin e procedurave të alokimit të fondit për shpërblimin për punën, por ende nuk janë miratuar. Krahasuar me vitin 2011, organika është rritur me 11 vende, për shkak të vënies në funksionim të IEVP Elbasan.

Hapja e shkollave në IEVP: Gjatë shtator-nëntor 2012, nga fillimi i zbatimit të memorandumit të nënshkruar më datë 05.12.2008 midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Arsimit për hapjen e ciklit të detyruar shkollor 9-vjeçar në sistemin e burgjeve, përpos shkollave në 5 burgje të vendit, për herë të parë në vitin e ri akademik 2012-2013, u hapën 3 shkolla brenda institucioneve të paraburgimeve Jordan Misja, Vlorë dhe Lezhë, në seksionin e të miturve dhe 1 shkollë në burgun e Rrogozhinës, për të dënuarit në moshë madhore, duke plotësuar në këtë mënyrë një nga angazhimet kryesore në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Sipas të dhënave të muajit dhjetor 2012, 228 të dënuar janë regjistruar në shkolla.

Fig. 1 Numri total i të burgosurve në shkolla në IEVP sipas viteve akademike

Viti Akademik Shtator Tetor Nëntor Dhjetor
2010-2011 136 136 136 136
2011-2012 168 162 160 157
2012-2013 222 260 266 228

Të miturit e paraburgosur të regjistruar për fillimin e procesit arsimor do të kenë mundësi të ndjekin arsimin e detyruar 9-vjeçar deri në momentin e marrjes së vendimit gjyqësor së formës së prerë. Në rast marrje vendimi për dënim të miturit do të vazhdojnë procesin arsimor në Institutin e të Miturve në Kavajë dhe në rast lirimi pranë qendrave të tyre të banimit. Në përfundim të shkollës, të gjithë të dënuarit pajisen me dëftesë, sipas shkollës që janë të regjistruar. Ky është një element mjaft i rëndësishëm, pasi dëftesa e marrë nuk njihet si një dëftesë e ndjekjes së procesit shkollor në kushtet e burgut, duke eliminuar në këtë mënyrë çdo formë diskriminimi.

Hartimi i një drafti të një ligji të ri të drejtimit, menaxhimit dhe funksionimit të burgjeve dhe paraburgimeve: Me shkresat nr. 4518 datë 22.06.2012 dhe 4518/1 datë 21.09.2012 është dërguar në MD për miratim projekt rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”. Në kuadrin e masave legjislative në qëllimin dhe misionin për përmirësimin e rregullave në organizimin e DPBurgjeve, si dhe duke pasur parasysh se gjatë 3 viteve të fundit kanë hyrë në fuqi ligje të rëndësishme si ligji nr. 10296 datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin’’, Ligji nr. 9936 datë 26.06.2008 ‘’Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’’, Ligji nr. 10032 date 11.12.2008 “Për policinë e burgjeve’’, të cilat kanë ndryshuar mënyrën dhe konceptet bazë të funksionimit dhe organizimit të njësive publike në Shqipëri dhe ligje që kanë të bëjnë me vetë strukturën dhe funksionimin e DPBurgjeve, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në organizimin dhe funksionimin e saj, është e nevojshme hartimi i një projekt ligji për drejtimin dhe menaxhimin e burgjeve dhe paraburgimeve.

Miratimi i disa shtesave e ndryshimeve në ligjin nr. 10032, datë 11.12.2008 për Policinë e Burgjeve: Nisur nga problemet e konstatuara në zbatimin e ligjit aktual të policisë së burgjeve që lidhen me, trajtimin e punonjësve të policisë së burgjeve veçanërisht në diferencimin e pagesave të tyre, për përmirësimin e procedurave të punësimit, transferimin e punonjësve, për dhënien e masave disiplinore ndaj tyre, janë propozuar disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e Policisë së Burgjeve. Me shkresat nr. 6196 , datë 06.09.2011, nr. 6677/1 datë 01.10.2012 është dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë projekt drafti “Mbi disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10032 datë 11.12.2010 “Për policinë e burgjeve”. Me urdhrin nr. 264/1 datë 04.12.2012 të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është miratuar rregullorja për ruajtjen, mirëmbajtjen, përdorimin dhe administrimin e armatimit e pajisjeve të policisë. Miratimi i kësaj rregulloreje ka si qëllim përcaktimin e rregullave për kompletimin, dokumentimin administrimin, strukturat përgjegjëse, kompetencat, kryerjen e kontrolleve, mënyrën e ruajtjes dhe mirëmbajtjes të armatimit municioneve dhe pajisjeve të policisë.

Ndryshime në ligjin nr. 8328 për të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve: Në kuadër të përmirësimit të drejtave të trajtimit të dënuarve dhe të paraburgosurve për përafrimin e legjislacionit me standardet e BE, janë propozuar ndryshime në disa dispozita të tjera të këtij ligji, si për lejet e veçanta dhe shpërblyese, shërbimin mjekësor, shoqërimin e të burgosurve etj. Me shkresën nr. 7671 datë 31.10.2012 është ridërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë për miratim projekt ligji për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve.”