
Adriatik Kupi është Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve që prej muajit prill 2026, me përvojë të gjatë në drejtimin e strukturave teknike dhe operacionale. Ai ka eksperiencë në nivele të larta drejtuese në sektorin energjetik, si dhe një karrierë të konsoliduar në Policinë e Shtetit.
Gjatë periudhës 2013–2024, ka ushtruar detyrën e Drejtorit në Drejtorinë e Tensionit të Lartë pranë OSSH sh.a., ku ka drejtuar operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e rrjetit të tensionit të lartë. Ka qenë përgjegjës për planifikimin dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore, menaxhimin e kontratave publike dhe koordinimin me institucione rregullatore dhe aktorë të tjerë të sektorit. Më herët, ka drejtuar njësitë Tirana 1 dhe Tirana 3 në OSHEE sh.a., duke kontribuar në rritjen e eficiencës operacionale, reduktimin e humbjeve dhe forcimin e standardeve të sigurisë.
Gjatë viteve 1995–2011 ka shërbyer në Policinë e Shtetit, në struktura operative dhe në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me fokus në operacione në terren, menaxhim situatash kritike dhe bashkëpunim ndërinstitucional.
Z. Kupi është diplomuar në Shkenca Juridike dhe zotëron Master në Drejtësi Penale. Ai dallohet për aftësi të forta në drejtim strategjik, organizim dhe vendimmarrje në situata emergjente, duke garantuar standarde të larta sigurie dhe cilësie në funksionet që ka ushtruar.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.