» Z. Qose takohet me specialistët e burimeve njerëzore për ti informuar mbi programin motivues
Postuar më: 16/10/2024

Z. Qose takohet me specialistët e burimeve njerëzore për ti informuar mbi programin motivues

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, zhvilloi sot një takim frymëzues me specialistët e burimeve njerëzore, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të tyre në suksesin e çdo administrate. Gjatë takimit, z. Qose nënvizoi rëndësinë e njohjes së punës së tyre dhe të bërjes së saj të dukshme, si mënyra më e mirë për të hapur rrugën drejt avancimit në karrierë.

Z. Qose i inkurajoi specialistët të përfitojnë nga programi i motivimit, i cili do të prezantohet së shpejti si një iniciativë që ofron përfitime të shumta, përfshirë shërbime falas nga sektori privat. Gjithashtu, ai informoi pjesëmarrësit për mundësitë e trajnimeve jashtë vendit dhe përfshirjen e tyre në projekte të rëndësishme, që do të mbajnë emrin e tyre – një mundësi e veçantë për të ndërtuar një identitet të fortë profesional në sektorin publik.

Drejtori i Përgjithshëm theksoi se motivimi, zhvillimi dhe shpërblimi i çdo arritjeje janë çelësi për të ndërtuar një rrugëtim të suksesshëm, duke kujtuar se suksesi nuk është thjesht një destinacion, por një proces i përhershëm që kërkon përkushtim në çdo hap.