» Vizitë studimore në Regjimin e Posaçëm 41-bis në Itali
Postuar më: 11/12/2022

Vizitë studimore në Regjimin e Posaçëm 41-bis në Itali

Në datat 5 deri më 9 dhjetor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një vizitë studimore për zyrtarë shqiptarë në Regjimin e Posaçëm 41-bis në Itali.

Në këtë vizitë studimore delegacioni me 12 anëtarë kryesohej nga Drejtori i Policisë së Burgjeve Paulin Rajta, dhe përbëhej nga Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë Klevis Qose; deputeti Denis Deliu, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe i Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut; Komisioneri për Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit Ahmet Prençi; Këshilltarja Ligjore / Drejtuesja e Projektit nga Prezenca e OSBE-së Alba Jorganxhi, dhe zyrtarë të lartë të burgjeve.

 

Delegacioni u prit nga gjyqtari Carlo Renoldi, Shef i Departamentit të Administratës së Burgjeve dhe nga Gjeneral Brigade z. Mauro D’Amico, Drejtor i Grupit Operativ të Lëvizshëm (Gruppo Operativo Mobile, GOM) në Ministrinë e Drejtësisë italiane, të cilët bashkorganizuan dhe bashkërenduan vizitën studimore.

Pjesëmarrësit u pajisën me njohuri për standardet më të mira vendase dhe ndërkombëtare mbi menaxhimin në përputhje me të drejtat e njeriut për të burgosurit me rrezikshmëri të lartë. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Policisë Italiane të Burgjeve në burgjet e vizituara. Programi përfshinte një vizitë në mjediset e seksionit 41-bis në Sassari dhe L’Aquila dhe një vizitë në Shkollën e Trajnimit të Burgjeve “Giovanni Falcone” në Romë, ku pjesëmarrësit u njohën me kurrikulën e trajnimit për personelin e burgjeve italiane.

Vizita studimore ishte pjesë e projektit të Prezencës “Për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” dhe projektit me fonde jashtëbuxhetore “Përgjigjet ndaj terrorizmit në sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri në përputhje me shtetin e së drejtës” të financuar nga qeveria e Austrisë dhe ajo e Norvegjisë.

Vizita studimore bazohet në mbështetjen e Prezencës për reformën e burgjeve në Shqipëri dhe përfshirjen e saj aktive në promovimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur. Në fillim të këtij viti, Prezenca hartoi dhe mbajti një modul trajnimi për personelin e burgjeve të regjimit të posaçëm. Në vitin 2021, ajo organizoi një seancë trajnimi të stafit të burgjeve të Regjimit të Posaçëm mbi menaxhimin në përputhje me të drejtat e njeriut të të burgosurve me rrezikshmëri të lartë. Ndërsa në vitin 2020, Prezenca përgatiti një raport vlerësimi të regjimit të posaçëm për të burgosurit e sigurisë së lartë në Shqipëri, në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare dhe në funksion të nevojave specifike të të dënuarve.

-Falenderojmë OSCE Presence in Albania për mundësinë dhe organizimin e Vizitës Studimore në Sistemin 41- bis të Italisë.

-Falenderojmë Departamentin e Administratës së Burgjeve dhe Grupin Operativ të Lëvizshëm të Ministrisë italiane të Drejtësisë dhe në veçanti drejtuesit e tyre Gjyqtar Carlo Renoldi dhe Gjeneral Brigade Mauro D’Amico për bashkorganizimin e vizitës dhe mikpritjen.