» VIZITË MONITORUESE NË IEVP DURRËS
Postuar më: 20/11/2026

VIZITË MONITORUESE NË IEVP DURRËS

Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, znj. Sadleva Bodo, zhvilloi një vizitë monitoruese në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të veprimtarisë së institucioneve penitenciare, vlerësimit të kushteve dhe ndjekjes së problematikave të evidentuara.

Fillimisht, ajo u prit nga stafi drejtues dhe administrativ i institucionit, ku u prezantua situata aktuale, u diskutuan problematikat dhe sfidat e evidentuara në të gjithë sektorët, si dhe u analizua ecuria e punës dhe funksionimi i institucionit.

Në vijim, Drejtoresha e Përgjithshme zhvilloi një takim me përfaqësues të Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës, ku shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për kontributin e tyre të rëndësishëm në rinovimin e ambienteve të takimeve me avokatët. Falë këtij bashkëpunimi, janë rikonstruktuar tre ambiente me kushte bashkëkohore, të cilat do të vihen në dispozicion të personave të privuar nga liria për zhvillimin e takimeve me mbrojtësit e tyre ligjorë.

Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua inspektimit të drejtpërdrejtë të ambienteve dhe shërbimeve të institucionit. Vlen të theksohet se IEVP Durrës ndodhet në një godinë tejet të amortizuar, si dhe në një vendndodhje e cila është përballur me përmbytje disa herë gjatë viteve të fundit. Kjo situatë përbën një problematikë të rëndësishme, e cila kërkon vëmendje dhe vlerësim të posaçëm.

Drejtoresha vizitoi ambientet e kuzhinës, klasat e arsimit dhe kurset e formimit profesional, ambientet shëndetësore, farmacinë dhe shërbimin stomatologjik, duke u njohur nga afër me kushtet dhe funksionimin e tyre.

Gjithashtu, ajo zhvilloi takime të drejtpërdrejta me personat e privuar nga liria, duke dëgjuar me vëmendje shqetësimet, kërkesat dhe problematikat e ngritura prej tyre. Drejtoresha e Përgjithshme shprehu angazhimin e saj personal, si dhe të strukturave kompetente të institucionit, për shqyrtimin e çdo kërkese dhe gjetjen e zgjidhjeve konkrete, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjatë vizitës u trajtua në mënyrë të veçantë edhe ngjarja e datës 15.11.2026, ku i dënuari I.B. mbeti i dëmtuar pas një incidenti me të dënuarin M.B., i cili ka probleme të shëndetit mendor.

Megjithëse rasti është në shqyrtim nga strukturat inspektuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, znj. Bodo zhvilloi takime të drejtpërdrejta me të dy të dënuarit, për t’u njohur nga afër me situatën dhe rrethanat e ngjarjes.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar që çdo proces dhe veprimtari në IEVP Durrës dhe në të gjitha institucionet penitenciare të zhvillohet me përgjegjësi, profesionalizëm dhe në zbatim të plotë të ligjit.