Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë pati kënaqësinë të mirëpresë një delegacion të “Young OM”, një grup të rinjsh nga Prokuroria Hollandeze të cilët ndodhen në fazën përgatitore të formimit të tyre profesional për t’u bërë pjesë e sistemit të drejtësisë në Holandë.
Vizita u zhvillua në kuadër të një programi shkëmbimi dhe njohjeje me modele të ndryshme të sistemeve korrektuese, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përvetësimin e praktikave më të mira në menaxhimin e institucioneve penitenciare.
Delegacioni u prit nga Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, znj. Irma Bime, dhe nga Drejtoresha e Informimit dhe Koordinimit Ndërinstitucional, znj. Nepjona Cerma, të cilat prezantuan për vizitorët mënyrën e funksionimit të institucionit, standardet e trajtimit të të dënuarve, programet e rehabilitimit dhe risocializimit, si dhe kushtet e jetesës në ambientet e brendshme të burgut.
Gjatë qëndrimit, të rinjtë patën mundësinë të njihen nga afër me përpjekjet që po bëhen në drejtim të garantimit të një sistemi korrektues më efikas dhe më të orientuar drejt të drejtave të njeriut. Ata vlerësuan veçanërisht nivelin e lartë të standardeve të menaxhimit, përkushtimin për respektimin e të drejtave të të burgosurve dhe qasjen rehabilituese që synon integrimin e tyre të suksesshëm në shoqëri pas përfundimit të dënimit.
Vlerësime të tilla janë një dëshmi e progresit të arritur në sistemin penitenciar shqiptar dhe shërbejnë si një nxitje për të vijuar me përkushtim në përmirësimin e mëtejshëm të praktikave të punës, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë shpreh mirënjohje të veçantë për znj. Egla Mitre, Këshilltare Politike në Ambasadën Hollandeze në Tiranë, për mbështetjen dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve shqiptare dhe atyre hollandeze.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.