Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me mbështetjen e Ambasadës Britanike, po finalizon përgatitjet për popullimin e Burgut të Hapur “Ali Demi”. Ky investim i Qeverisë Shqiptare synon përmirësimin e sistemit penitenciar përmes rehabilitimit dhe riintegrimit më të shpejtë të të burgosurve që po përgatiten për t’u rikthyer në jetën qytetare. Me ndihmën e Ambasadës Britanike, është siguruar mbështetje për përmirësimin e infrastrukturës dhe trajnimin e burimeve njerëzore për menaxhimin e këtij institucioni të ri i kësaj natyre.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, mori pjesë në ditën e parë të trajnimit, ku të pranishëm ishin edhe z. Duncan Nutt, ekspert i burgjeve dhe përfaqësues i shtetit britanik, dhe Adam Connolley, Drejtor i Burgut të Hapur HMP Haverigg në Angli.
Z. Qose falënderoi Ambasadën Britanike për kontributin e tyre të vazhdueshëm në përmirësimin e infrastrukturës së burgjeve shqiptare dhe në përgatitjen e stafit përmes trajnimeve dhe vizitave studimore në burgjet britanike. “Sot jemi dëshmitarë të një momenti të veçantë për sistemin tonë penitenciar, me trajnimin për menaxhimin e burgut të hapur,” tha ai. “Hapja e këtij burgu është fryt i bashkëpunimit tonë me Britaninë dhe na lejon të adoptojmë standardet e tyre të avancuara. Falënderoj ekipin britanik për mbështetjen e tyre dhe për kontributin që po japin në trajnimin e skuadrës sonë.”
Adam Connolley falënderoi palën shqiptare për ftesën dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh. “Ne gjithashtu mësojmë nga përvojat tuaja. Sistemi i burgjeve të hapura ofron mundësi të mëdha për rehabilitimin dhe përgatitjen e të burgosurve për lirinë e plotë, dhe ne jemi të lumtur të ndajmë përvojat tona në këtë fushë.”
Z. Duncan Nutt, në fjalën e tij, theksoi se mbështetja britanike do të vazhdojë për t’i ndihmuar autoritetet shqiptare në hapjen dhe menaxhimin sa më të suksesshëm të këtij burgu, duke nënvizuar se burgjet e hapura janë një element kyç në riintegrimin e të burgosurve.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.