Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Z.Miklovan Kopani, zhvilloi me datë 10 maj 2017, një takim me Raportuesin Special te Kombeve te Bashkuara mbi lirine e besimit dhe fesë, Z. Ahmed Shaheed.
Takimi ishte pjesë e agjendës të vizitës në Shqipëri të Raportuesit Special, në kuadër të ftesës së hapur të bërë prej vendit tonë, ndaj të gjithë mbajtësve të mandateve për procedurat speciale për të drejtat e njeriut.
Në takim, Z. Shaheed shoqërohej nga ekspertë të OHCHR dhe UNDP.
Drejtori i Përgjithshëm në fjalën e tij, vlerësoi takimin si një mundësi shumë të mirë për sistemin e burgjeve shqiptare, që të dëshmojë para komunitetit ndërkombëtar arritjet në drejtim të promovimit të lirisë së besimit fetar, si dhe të forcojë imazhin e vendit në botë si model i praktikës së mirë të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare.
Takimi vijoi me një prezantim të dispozitave ekzistuese të legjislacionit të burgjeve, në lidhje me garantimin dhe mbrojtjen e të drejtës dhe lirisë së besimit fetar për shtetasit me liri të kufizuar, si dhe praktikat e mira ekzistuese në lidhje me garantimin e kësaj të drejte në Institucionet e Ekzekutimit te Vendimeve Penale (IEVP), bashkëpunimin me institucione dhe organizata fetare të huaja dhe të vendit dhe procedurat e rregullimit të marrëdhënieve të bashkepunimit, garancitë e ofrimit të së drejtës së ushtrimit dhe praktikimit të besimit fetar në sistemin e burgjeve në kushtet e ruajtjes së sigurisë në IEVP.
Drejtori i Përgjithshëm u ndal në veçanti në trajtimin e problematikave dhe sfidave aktuale të sistemit të burgjeve shqiptare, në lidhje me trajtimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm fetar, në kushtet edhe të zhvillimeve në këtë drejtim në rajon dhe në botë.
Pjesë diskutimeve ishin edhe çështje të tjera, sipas fushës të interesit të raportuesit.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.