Të drejtat e njeriut janë bërë një fushë e gjerë studimi në shkencën sociale, duke përfshirë studime analitike dhe empirike mbi të drejtën. Konteksti politik i studimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, lidhet me zhvillimet politike post-komuniste, marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe shtetasve, institucionet, demokratizmin dhe kondicionalitetet në kuadër të anëtarësimit në BE, procese këto të shoqëruara me një sërë reformash.
Respektimi i të drejtave të shtetasve me liri të kufizuar në sistemin penitenciar është një tregues i rëndësishëm se si shteti Shqiptar, ka adresuar një nga prioritet më të rëndësishme në kuadër të angazhimeve për aderimin pranë strukturave Evropiane. Progres Raporti i Bashkimit Evropian, 2013, adresoi për sistemin penitenciar disa rekomandime për përmirësimin e respektimit të të drejtave të personave me liri të kufizuar. Gjithashtu ky raport rekomandoi për Qeverisë Shqiptare, marrjen e masave për parandalimin e korrupsionit në vend.
Standardet për trajtimin e personave me liri të kufizuar, janë sanksionuar në disa norma dhe rregulla të Kombeve të Bashkuara dhe BE-së. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (UDHR), e miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948 u referohet shtyllave kryesore të sistemit të të drejtave të njeriut, të cilat janë liria, barazia dhe solidariteti. Po ashtu Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ratifikuar nga shteti Shqiptar, i referohet parimeve bazë të respektimit të të drejtave të njeriut ku rol të rëndësishëm luajnë të drejtat e personave me liri të kufizuar në sistemin penitenciar.
Aktualisht sistemi penitenciar është në një proces të rëndësishëm reformimi në aspektin strategjik, prandaj studimet janë me shumë rëndësi për evidentimin e problematikave dhe adresimin e prioriteteve, në përmbushje edhe të rekomandimeve të BE-së, në drejtim të përmirësimit të situatës së të drejtave të njeriut në sistemin penitenciar dhe luftës kundër korrupsionit. Për këtë qëllim Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ndërmori një studim për vlerësimin e trajtimit të personave në konflikt me ligjin, parë në këndvështrimin e opinioneve të vetë të paraburgosurve dhe të dënuarve. Ky studim synon të prezantojë aspekte kryesore të jetesës, cilësisë së trajtimit dhe shërbimeve të ofruara, situatën e respektimit të të drejtave të shtetasve në konflikt me ligjin.
Studimi synon gjithashtu të masë nivelin e korrupsionit në administratën e sistemit penitenciar.
Mbështetur në rezultatet e këtij studimi propozohen disa alternativa për përmirësimin e reformës në sistemin penitenciar me qëllim përmirësimin e respektimit të të drejtave të shtetasve në konflikt me ligjin dhe ndërmarrjen e politikave të përshtatshme për parandalimin dhe minimizimin e fenomenit të korrupsionit.
Studimi i plotë:
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.