Me keqardhje u njohëm me deklaratën e bërë nga Sekretari për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike z.Bislim Ahmetaj, i cili hodhi akuza të pavërteta se nuk janë ndezur kaldajat për ngrohjen në burgje, veçanërisht në IEVP Jordan Misja.
Nëpërmjet kësaj deklarate, me qëllime dashakeqëse, keqinformohet opinioni publik duke përbaltur kujdesin e Qeverisë Shqiptare, sakrificat e stafit të sistemit të burgjeve si dhe taksapaguesit.
Investimet e bëra në burgje gjatë këtij viti, me qëllim përmirësimin e kushteve të trajtimit të të burgosurve dhe stafit në shërbim të tyre, nuk kanë krahasim me asnjë nga vitet e kaluara dhe kjo është evidentuar nga të gjitha institucionet monitoruese vendase dhe ndërkombëtare.
Lidhur me sistemet e ngrohjes së burgjeve, Ju informojmë se:
Siç dihet disa prej burgjeve të vendit, të ndërtuara në 10 vitet e fundit janë të pajisura me instalime ngrohje-ftohje sistem chiller, si dhe të përforcuara me sistemet e kaldajave. IEVP-të e tjera janë me sisteme alternative ngrohje, me kaldajë dhe me mjete ngrohëse sipas procedurës nr.649, datë 21.01.2019.
Ndezja dhe fikja e kaldajave në burgje është e përcaktuar në aktet ligjore në fuqi, në të cilat parashikohet ndezja e kaldajave në mënyrë frekuente me orar veprimesh të personalizuar për çdo IEVP.
Në asnjë rast, në asnjë IEVP, nuk ka ndodhur që kaldajat të mos ndizen sipas orareve të përcakatuara dhe deri tani asnjë ankesë nuk është marrë nga të burgosurit apo edhe stafi që shërben në të njëjtat ambjente lidhur me mungesën e ngrohjes.
Këto deklarata politike me akuza të pabazuara nuk i shërbejnë aspak imazhit të vendit dhe nuk i përgjigjet realitetit për gjendjen faktike në IEVP-të në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron familjarët e të paraburgosurëve dhe atyre që vuajnë dënimin e formës së prerë, se në të gjitha IEVP-të ka kushte optimale dhe nuk ekzistojnë fenomene të tilla siç deklaroi z.Ahmetaj.
Lidhur me merakun e zotit Ahmetaj për monitorimin e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, nga institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut, informojmë publikun se sistemi i burgjeve dhe paraburgimeve është inspektuar në vazhdimësi nga instituicionet monitoruese brenda dhe jashtë vendit, siç është Komiteti i Parandalimit të Torturës dhe në asnjë rast nuk janë konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut dhe aq më tepër torturë dhe keqtrajtim ndaj të burgosurve.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, është e hapur dhe mirëpret vizita nga institucionet e pavarura dhe institucionet shtetërore për vlerësimin objektiv të kushteve të trajtimit të të burgosurve.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.