Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, priti në zyrën e tij znj. Giulia Re, Shefe e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, e shoqëruar nga znj. Antuen Skënderi, Menaxhere e Projektit pranë KiE.**
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe me pjesëmarrjen e znj. Irena Progni, Drejtoreshë e Trajnimeve, si dhe znj. Klodilda Kareci, Drejtoreshë e Çështjeve Sociale.
Gjatë bisedës u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me Këshillin e Europës, veçanërisht në fushën e trajnimit të stafit administrativ dhe atij policor, si një nga shtyllat themelore të përmirësimit të sistemit penitenciar shqiptar. U ndanë gjithashtu sfidat aktuale të sistemit dhe nevojat për mbështetje të mëtejshme në rritjen e kapaciteteve profesionale.
Drejtori Qose prezantoi strategjinë e re për rehabilitimin dhe integrimin e të dënuarve, përfshirjen e mbështetjes psikologjike për punonjësit e sistemit si dhe zgjerimin e rolit të Qendrës së Trajnimeve. U theksua nevoja për ndihmë teknike në hartimin e udhëzuesve për strukturat sociale dhe për mbështetje të vazhdueshme në ndërtimin e një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm rehabilitues.
Një element i rëndësishëm i diskutimit ishte platforma e re digjitale për sistemin penitenciar, e cila do të përfshijë inteligjencën artificiale, ndërlidhjen me sallat gjyqësore, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe përllogaritjen automatike të dënimeve, duke synuar reduktimin e lëvizjeve fizike të të dënuarve dhe rritjen e efikasitetit institucional.
Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm falënderoi Këshillin e Europës për mbështetjen e deritanishme dhe shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në funksion të zhvillimit të sistemit penitenciar shqiptar.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.