» Qose dhe Lamallari ndjekin nga afër situatën në burgun e Durrësit: Gjendja nën kontroll
Postuar më: 07/01/2026

Qose dhe Lamallari ndjekin nga afër situatën në burgun e Durrësit: Gjendja nën kontroll

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, bashkë me Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndoqën sot nga afër situatën e krijuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, pas vërshimit të ujit si pasojë e reshjeve intensive të orëve të fundit.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, deklaroi se që në momentet e para strukturat përgjegjëse kanë qenë në monitorim të vazhdueshëm dhe janë marrë masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë.

“Që në orët e para kemi qenë në terren dhe në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat. Janë marrë masa për stakimin e energjisë elektrike në katin e parë, evakuimin e personave në ambiente më të sigurta dhe furnizimin me mjete logjistike të nevojshme. Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka asnjë rrezik për jetën dhe sigurinë e të dënuarve apo të paraburgosurve,” u shpreh Qose.

Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, theksoi se janë vënë në dispozicion edhe pompa me kapacitet të lartë nga Ministria e Mbrojtjes për largimin e ujit, ndërsa Komiteti i Emergjencave Civile në Durrës po funksionon plotësisht për normalizimin e situatës.

Autoritetet bëjnë me dije se monitorimi vijon në mënyrë të pandërprerë, në koordinim me emergjencat civile, zjarrfikëset dhe pushtetin vendor, për të garantuar funksionimin normal të institucionit.