» Promovimi i librit “Brenga e Prokurorit” të Ahmet Prenci në IEVP Pojskë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, merr pjesë në aktivitetin kulturor
Postuar më: 09/10/2025

Promovimi i librit “Brenga e Prokurorit” të Ahmet Prenci në IEVP Pojskë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, merr pjesë në aktivitetin kulturor

Në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë u zhvillua promovimi i librit “Brenga e Prokurorit”, një vepër e autorit Ahmet Prenci që trajton me ndjeshmëri dhe profesionalizëm tema të thella të drejtësisë penale dhe realitetit të sistemit të ndëshkimit dhe rehabilitimit në Shqipëri.

 

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, i cili theksoi rëndësinë e promovimit të kulturës dhe dijes brenda institucioneve korrektuese, si pjesë e pandashme e procesit të rehabilitimit dhe risocializimit të personave në konflikt me ligjin.

 

“Kënaqësi e veçantë të isha pranë autorit Ahmet Prenci në promovimin e këtij libri që flet me shpirtin e drejtësisë dhe sjell rrëfime që nuk duhen harruar. Ajo që më gëzon veçanërisht është etja për dije që tregojnë vajzat dhe gratë që ndodhen pas hekurave, një dëshmi se koha në institucion nuk është vetëm pritje, por edhe mundësi për rritje,” u shpreh z. Qosja.

 

Gjatë aktivitetit, u shpërndanë libra të dhuruar nga shtëpia botuese MediaPrint, si dhe produkte kozmetike për gratë dhe vajzat që vuajnë dënimin në këtë institucion, një gjest simbolik që mbart një mesazh të fortë solidariteti dhe përkujdesjeje.

 

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të ofruar hapësira kulturore dhe edukative për të dënuarit, duke i ndihmuar ata të ruajnë dinjitetin dhe të shohin përtej izolimit fizik drejt një të ardhmeje më të mirë.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e përkushtuar në nxitjen e nismave që fuqizojnë rolin e rehabilitimit përmes dijes, leximit dhe aktiviteteve që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin personal dhe social të personave në vuajtje dënimi