» Përfundon trajnimi bazë i punonjësve të policisë të IEVP Shkodër
Postuar më: 30/12/2017

Përfundon trajnimi bazë i punonjësve të policisë të IEVP Shkodër

Në kuadër të masave për hapjen dhe vënien në funksionim të burgut të Shkodrës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve gjatë muajve Nëntor-Dhjetor, zhvilloi konkurset e hapura për rekrutimin e punonjësve të policisë dhe të punonjësve të shërbimeve të tjera të këtij institucioni.

Bazuar në Urdhërat e përbashkët të Ministres së Drejtësisë dhe Ministrit të Brendshëm, konkursi për pranimin e punonjësve të policisë së burgjeve dhe trajnimi fillestar, i tyre u krye në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë, me aktivizimin e specialistëve dhe drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Akademisë së Sigurisë.

Trajnimi u krye në ambjentet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës, duke ofruar trajtim hoteleri dhe ushqim për 262 kursantë dhe stafin trajnues.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas më shumë se 10 vitesh, siguroi kompletimin me unifoma për më shumë se 350 kursantë dhe duke bashkëpunuar me Akademinë e Sigurisë, arriti të krijojë kushte të përshtatëshme dhe dinjitoze për zhvillimin e trajnimit me cilësi dhe njëkohësisht për formimin e shprehive të disiplinës dhe rregullit, si kushte të domosdoshme për punonjësin e sigurisë.

Të gjithë kursantët fitues në testin e zhvilluar në mbyllje të trajnimit me datë 30.12.2017, do të emërohen në detyrën e punonjësit e sigurisë në IEVP Shkodër. Përpara fillimit të punës punonjësit e rinj do të zhvillojnë praktikë në institucione, me qëllim aftësimin praktik dhe krijimin e shprehive lidhur me procedurat e sigurisë, rregullat e etikës, të komunikimit, aftësitë operacionale.

Bashkëpunimi me Akademinë e Sigurisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim rritjen e standarteve të trajnimit në përputhje me nevojat që ka sistemi i burgjeve dhe paraburgimeve.