Më datë 15 shtator 2017 në Qendrën e Informimit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri u zhvillua ceremonia përmbyllëse e projektit të binjakëzimit “Për reformën në sistemin e burgjeve dhe shërbimin e provës”, mbështetur nga Bashkimi Evropian (IPA 2013) me një fond prej 1,000,000 euro. Zbatimi i projektit kishte një afat 2 vjeçar (shtator 2015-shtator 2017). Zbatuesi i palës së projektit nga vendet e BE-së ishte Mbretëria e Bashkuar. Qëllimi i përgjithshëm i projektit ishte: Forcimi i efiçensës, llogaridhënies dhe besimit të publikut në Sistemin Penitenciar dhe Shërbimin e Provës në përputhje me acquis të BE-së dhe praktikat më të mira.
Shtatë komponentët kryesorë, të cilat përbënin dhe indikatorët për matjen e realizimit të projektit ishin:
Përmirësimi i akteve ligjore dhe nënligjore
Hartimi i strategjisë për zbutjen e mbipopullimit në burgje dhe paraburgime.
Ngritja e një sistemi për të menaxhuar monitorimin e të dënuarve me risk të lartë dhe vlerësim risku.
Ngritja e një sistemi për të plotësuar nevojat e të dënuarve vulnerabël
Asistencë për Shërbimin e Provës në forcimin e Mbikëqyrjes Elektronike
Adresimi i Korrupsionit
Hartimi i një strategjie për komunikimin me publikun
Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Z. Arben Çuko shprehu falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë Delegacionit të Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme për reformimin e sistemit të burgjeve sipas standardeve evropiane. Gjithashtu, partnerët tanë më të ngushtë për zbatimin e projektit, Mbretërinë e Bashkuar për përvojën dhe dimensionet e reja që ofruan për menaxhimin dhe administrimin e sistemit të burgjeve. Drejtori i përgjithshëm theksoi se “projekti për reformën në Sistemin e Burgjeve dhe Shërbimin e Provës në Shqipëri ka shërbyer si një instrument mbështetës për avancimin e vendit tonë në rrugën e gjatë të procesit të integrimit evropian. Ndër kontributet më të rëndësishme të këtij projekti do të vlerësoja hartimin e platformës për vlerësimin e treguesve të performancës të institucioneve penitenciare, instrumentin e standardizuar për vlerësimin e rrezikshmërisë së burgosurve, si dhe forcimin e mekanizmit të kërkesa ankesave dhe adresimin e çështjeve për parandalimin e korrupsionit në sistemin e burgjeve. Qasjet bashkëkohore për trajtimin e personave me liri të kufizuar dhe zbatimi i parimeve të Rregullave Evropiane të Burgjeve do të shërbejnë për ri-dimensionimin e politikave të menaxhimit të institucioneve penitenciare duke ruajtur balancën midis sigurisë dhe forcimit të sistemit të rehabilitimit të personave me liri të kufizuar.” Gjithashtu, ai siguroi për vazhdimësinë e reformave për përafrimin e standardeve të sistemit të burgjeve me vendet e Bashkimit Evropian, si dhe garantimin e respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, në zbatim të akteve ndërkombëtare të nënshkruara nga Qeveria Shqiptare.
Gjatë ceremonisë përcollën mesazhet e tyre Z. Stephen Stork, Drejtues i Seksionit Ligjor në Delegacionin e Bashkimit Evropian si dhe Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman, të cilët theksuan rëndësinë e reformimit të sistemit të burgjeve dhe qasjen me standardet e Bashkimit Evropian.
Për tu njohur me disa nga arritjet kryesore të projektit të binjakëzimit për reformën në sistemin e burgjeve dhe shërbimin e provës, klikoni në linkun e mëposhtëm.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.