» Njoftim zyrtar
Postuar më: 04/02/2025

Njoftim zyrtar

Më datë 4 shkurt 2025, në orët e para të mëngjesit, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit Daut Hysen Laze, 49 vjeç, i lindur më 30 gusht 1976 në Çorovodë dhe banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte arrestuar më 16 nëntor 2021 për veprën penale “Dhuna në familje” dhe me vendimin nr. 528, akti datë 4 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i kishte caktuar masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, sipas nenit 46 të Kodit Penal.

Nga kontrollet e menjëhershme të kryera në institucion është vërejtur se ky shtetas ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme, të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor, për t’u larguar nga rrethimi i institucionit. Po analizohen pamjet e kamerave për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.

Menjëherë pas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë organizuar punën dhe po kryejnë kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. Duke qenë se 49-vjeçari paraqet rrezikshmëri shoqërore, u bëjmë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë me çdo informacion të vlefshëm në lidhje me vendndodhjen e tij.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ka vendosur shpërblimin prej 10 000 euro për çdo informacion që çon në gjetjen e këtij shtetasi. Çdo qytetar mund të kontaktojë në numrin pa pagesë 112 të Policisë së Shtetit ose në numrin 068 200 29 61, të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

 

Vijon puna intensive në bashkëpunim me strukturat e sigurisë për kapjen e tij.