Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ju informon se:
– Në IEVP Lezhë, Seksioni i masave Mjeksore më datë 18.12.2023, në orën 04:27, u shoqërua për në Spitalin Rajonal Lezhë pacienti me masën “Mjekim të Detyruar” Nase Shajko, pasi kishte probleme me frymëmarrjen, probleme nga zemra me parametrat jetësore të ulta.
Fatkeqësisht, me gjithë ndërhyrjen e stafit mjekësor të spitalit, pacienti me masën mjekësore “Mjekim të Detyruar”, Nase Vito Shajko, ka ndërruar jetë. Dyshohet për shkak të arrestit kardiak.
I ndjeri, është i datëlindjes 17.04.1946 (77 vjeç), lindur e banues në Gjirokastër, i martuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Shtetasi Nase Shajko ka qenë i ndaluar për “Shkatërrim dhe dëmtim të pronës me zjarr” dhe është transferuar me masë mjekësore “Mjekim i Detyruar” nga Komisariati i Policisë së Gjirokastrës në IEVP Lezhë, që nga data 25.11.2023.
– Në Reanimacionin Qendror të QSUT “Nënë Tereza”, më datë 18.12.2023, ora 08:56, ka ndërruar jetë shtetasi Shaqir Hoxha, i datëlindjes 22.03.1967, me masë sigurie arrest me burg i akuzuar për veprën penale parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.
Shtetasi Shaqir Zenel Hoxha, i pranuar në IEVP Burrel, me datë 30.08.2023, ishte shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” me datën 30.11.2023 dhe nga data 02.12.2023 në Qendrën Spitalore të Burgjeve, me diagnozë kancer pulmonic me meta hepatike. Më datë 12.12.2023 pacienti është dërguar në Reanimacionin Qendror për shkak të gjendjes së rënduar dhe është bërë dalje më 15.12.2023 për në Qendrën Spitalore të Burgjeve. Më datën 16.12.2023 pacienti është ridërguar përsëri në Reanimacionin Qendror, për shkak të gjendjes së rënduar, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Për ngjarjet janë njoftuar Prokuroria, Komisariatet e Policisë, Specialisti i SHKBB, për hetime të mëtejshme, si dhe janë marrë masat për të njoftuar familjen e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve dhe garanton opinionin publik se do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme, për lehtësimin e vuajtjeve të personave të moshuar dhe të sëmurë, nëpërmjet aplikimit të amnistisë, që pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.