Një ditë ndryshe sot, për djemtë e IM Kavajë
Aida Baro, përkthyese profesioniste ishte mes të miturve të Institutit në një bashkëbisedim rreth librave dhe leximit si një proces çlirues dhe vetpërmbushjeje të cilin nuk e konkurron dot asnjë formë tjetër arti apo aktiviteti njerëzor.
Aida ka sjellë në shqip filma të kineastëve të mëdhenj si: Pier Paolo Pasolini, Federico Fellini, Vittorio de Sica, Roberto Rossellini, Paolo Sorrentino; dhe me dhjetra autorë veprash letrare si: Sveva Casati Modignani, Candace Bushnell, Julia Navarro, Goliarda Sapienza, Primo Levi, Alberto Moravia, etj.
Në vitin 2017, u nderua me Çmimin Kombëtar të Përkthimit, akorduar nga Ministria e Kulturës, për përkthimin e veprës “Armëpushimi” të Primo Levi-t. Me të njëjtën vepër, ka qenë kandidate për Çmimin Kult, në vitin 2018.
Aktualisht, kryeredaktore pranë shtëpisë botuese “Pegi”, Aida është editor e romaneve të Tom Kukës, Ylljet Aliçkës, Ndriçim Ademajt, Darien Levanit, Edmond Tupes.
Përveç librave që u dhuroi, Aida Baro i ftoi djemtë e IMKavajë të shkruajnë histori nga jeta e tyre dhe mori përsipër që të bëjë editimin dhe redaktimin e materialeve për t’i botuar në një edicion special.
Ky takim u zhvillua në kuadër të projektit “Për një Mundësi të Dytë” i cili po zbatohet nga Qendra për Formim dhe Zhvillim CFD, në kuadër të Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.