» Nisma për Mirëqenien Psikosociale të stafit të Administratës dhe Policisë
Postuar më: 03/12/2024

Nisma për Mirëqenien Psikosociale të stafit të Administratës dhe Policisë

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve u zhvillua një takim mbi mirëqenien psikosociale të administratës dhe stafit policor, ku mori pjesë drejtori i përgjithshëm, z. Klevis Qose. Ky takim u përqendrua në identifikimin e mënyrave për të mbështetur psikologjikisht stafin në kushtet e një pune të ngarkuar dhe shpesh stresuese.

Aktualisht, në strukturën organizative nuk është parashikuar një pozicion specifik për psikologun e mirëqenies psikosociale. Megjithatë, një nga psikologët ekzistues do të marrë përkohësisht këtë rol, duke u fokusuar kryesisht te stafi policor dhe nevojat e tij emocionale. Ky angazhim do të vazhdojë derisa të implementohet organika e re.

“Puna në sistemin penitenciar është shumë e vështirë dhe kërkon mbështetje. Ne kemi nevojë për psikologë dhe e kuptoj shumë mirë stresin që ndien stafi ynë,” tha z. Qose, duke apeluar për një qasje bashkëpunuese.

Drejtori e vuri theksin te roli i rëndësishëm i psikologëve si indikatorë dhe koordinatorë për identifikimin e rasteve me ngarkesë të lartë emocionale. “Ju jeni pionierët e parë të këtij programi. Është një punë që kërkon përkushtim, por ka rezultate të dukshme. Një komunikim i mirë nga ana juaj mund të shpëtojë jetë,” theksoi ai.

Ai shtoi se, përmes programeve të reja që do të prezantohen gradualisht, do të krijohen mundësi për trajnime dhe ndërhyrje, të cilat do të ndihmojnë stafin të përballojë stresin. “Personat që kanë ngarkesa të forta emocionale do të trajnohen për të larguar stresin, duke u kthyer më efikasë dhe produktivë në punë,” tha z. Qose.

Në përfundim, drejtori uroi sukses për të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e zhveshjes nga komplekset për të ndihmuar në krijimin e një kulture të re pune, më të ndërgjegjshme dhe mbështetëse. Ai vuri në dukje se nisma të tilla janë jo vetëm të domosdoshme, por edhe shembuj konkretë të angazhimit për të përmirësuar kushtet e punës dhe mirëqenien emocionale të stafit.