» Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose prezantojnë 15 ambulanca të reja për sistemin penitenciar
Postuar më: 24/07/2025

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose prezantojnë 15 ambulanca të reja për sistemin penitenciar

Në vijim të reformimit dhe modernizimit të infrastrukturës së sistemit penitenciar, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier u prezantua flota e re e përbërë nga 15 ambulanca moderne, të destinuara për transportin dhe shërbimin shëndetësor të personave të dënuar dhe të paraburgosur në rastet e emergjencave mjekësore.

Në këtë aktivitet morën pjesë Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, të cilët inspektuan nga afër edhe ambientet e përmirësuara të institucionit, përfshirë fjetoren e re për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe një palestër të dedikuar për stërvitjen e efektivëve, si pjesë e përkujdesjes për mirëqenien dhe përgatitjen fizike të tyre.

Ambulancat e reja, prodhim i vitit 2025, do të shpërndahen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, duke zëvendësuar flotën ekzistuese, nga e cila aktualisht funksionojnë vetëm 3 mjete nga 11 që ishin në dispozicion.

Ministri Manja theksoi rëndësinë e garantimit të kushteve dinjitoze dhe të sigurisë për të gjithë të dënuarit, si dhe përmirësimin e infrastrukturës për stafin që operon në këto institucione.

Ky investim është pjesë e një strategjie më të gjerë të modernizimit të sistemit penitenciar, që ka si objektiv rritjen e efikasitetit, humanizimit të dënimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në përputhje me standardet evropiane.