» Ministri i Drejtësisë prezanton Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve
Postuar më: 03/04/2026

Ministri i Drejtësisë prezanton Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve

Ministri i Drejtësisë, z. Toni Gogu, prezantoi Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve, z. Adriatik Kupi, në një ceremoni të zhvilluar me praninë e drejtuesve dhe punonjësve të sistemit penitenciar.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Gogu falënderoi drejtorin në largim, z. Klevis Qose, për punën dhe kontributin e dhënë gjatë dy viteve në drejtim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Ministri theksoi se ndryshimi në drejtim lidhet vetëm me nevojën për fuqizimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar, në funksion të rritjes së standardeve të administrimit, të disiplinës dhe të përgjegjshmërisë institucionale.

“Ky ndryshim ka të bëjë vetëm me fuqizimin e sistemit. Kemi nevojë për më shumë disiplinë në çdo nivel, sepse duhet të sigurojmë që qytetarët të kenë jo vetëm besim, por edhe respekt për institucionet tona,” u shpreh Ministri i Drejtësisë.

Duke i uruar suksese në detyrën e re drejtorit të sapoemëruar, z. Adriatik Kupi, Ministri Gogu nënvizoi rëndësinë e drejtimit me profesionalizëm, integritet dhe standarde të larta, në përputhje me objektivat e reformimit të sistemit dhe me angazhimet që burojnë nga procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Ministri theksoi se forcimi i sistemit penitenciar është pjesë e drejtpërdrejtë e rrugës së vendit drejt Bashkimit Europian, ku standardet europiane kërkojnë institucione më të forta, më efikase dhe më të përgjegjshme në çdo hallkë të tyre.

Nga ana e tij, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Adriatik Kupi, shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe u angazhua për të ushtruar detyrën me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të plotë.

“Do ta ushtroj këtë detyrë me profesionalizëm dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Do të mbështetem te ekipi, te bashkëpunimi dhe te integriteti institucional për të arritur rezultatet që kërkohen nga institucionet penitenciare në Shqipëri,” u shpreh z. Kupi.

Ndërkohë, drejtori në largim, z. Klevis Qose, u shpreh se ishte i lumtur për përvojën në krye të këtij institucioni, duke vlerësuar punën e bërë gjatë mandatit të tij.

“Jam i lumtur që kam punuar si drejtues i këtij institucioni. Kemi bërë një punë të mirë, por drejtuesi që do të keni tashmë ka vizionin e ri për të sjellë ndryshime në këtë sistem penitenciar,” u shpreh z. Qose.

Ministria e Drejtësisë mbetet e angazhuar për të vijuar modernizimin e sistemit penitenciar, në përputhje me standardet europiane, me qëllim garantimin e një administrimi më të mirë, më të sigurt dhe më të besueshëm për qytetarët.