LEJET, SHPËRBLIMET, NDRYSHIMI I GJENDJES CIVILE, TRANSFERIMET DHE LIRIMI
Lejet shpërblyese
Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total, nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit.
Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast të dhënies së saj dhe, në total, nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit.
Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës.
Leja shpërblyese i jepet:
a) personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;
b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;
c) personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit.
Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë, kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit. Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore, në përputhje me shkronjën “dh” të nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme.
Leja shpërblyese në burgjet apo seksionet e sigurisë së lartë jepet vetëm me urdhër të Ministrit të Drejtësisë ose me autorizimin e tij nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Në rast refuzimi, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes.
Leje të veçanta
Drejtori i institucionit mund t’u japë të dënuarve leje të veçantë, në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, apo të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje apo martesa. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit.
Leja e veçantë mund të jepet deri në 7 ditë dhe, me kërkesë të të dënuarit, mund të zgjatet për aq kohë sa e diktojnë rrethanat. Në çdo rast, kohëzgjatja e lejes së veçantë nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë.
Në rast se dhënia e lejes refuzohet nga drejtori i institucionit, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes.
Dhënia e lejes së veçantë i komunikohet menjëherë strukturave të Policisë së Shtetit, ku do të qëndrojë i dënuari.
Detyrimet gjatë lejes dhe përgjegjësia për shkeljet
I dënuari është i detyruar të respektojë kohën e lejes, ta kryejë atë në vendin për të cilën i është dhënë, të respektojë të gjitha detyrat dhe kushtëzimet që i janë dhënë dhe të njoftojë institucionin për çdo shmangie të imponuar.
Për mos respektimin e rregullave të mësipërme drejtori i institucionit ndërpret lejen, ndërsa për rastet e tejkalimeve në kundërshtim me kriteret e neveve 59 dhe 60 të këtij ligji, kërkohet nisja e procedimit penal sipas nenit 323 të Kodit Penal.
Shpërblimet
Ulja e dënimit
Të dënuarit që zbatojnë rregullat dhe kanë një pjesëmarrje shembullore në veprimtaritë trajtuese, duke dhënë prova për riintegrim në shoqëri, mund të përfitojnë një ose disa ulje, deri 90 ditë në çdo vit të vuajtjes së dënimit. Në burgjet e sigurisë së lartë ulja e dënimit bëhet deri 45 ditë në vit.
Për dhënien e këtij shpërblimi të veçantë, vlerësohet qëndrimi i të dënuarit nga ulja e mëparshme ose gjatë 12 muajve të fundit.
Ulja e dënimit bëhet me vendim të gjykatës, në bazë të kërkesës së të dënuarit apo përfaqësuesit të tij, ose të drejtorit të institucionit.
Ndryshimet në gjendjen civile
Drejtoria e institucionit i evidenton, në një regjistër të veçantë, faktet e lindjeve, martesave apo vdekjeve të ndodhura në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale me burgim, si dhe informon autoritetet përgjegjëse, për të bërë shënimet përkatëse në regjistrin e posaçëm të gjendjes civile, në të cilin nuk pasqyrohet statusi i personit si i burgosur.
Drejtoria e institucionit duhet të njoftojë menjëherë autoritetet gjyqësore, zyrën përkatëse të gjendjes civile, familjarët dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për vdekjen e të dënuarit.
Në këto raste kufoma vihet menjëherë në
dispozicion të familjarëve dhe, kur nuk ka të tillë ose kur refuzohet marrja, vendoset në varreza publike. Për vdekjen e të dënuarit me shtetësi të huaj dhe për vendosjen e tij në varrezat publike njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme.
TRANSFERIMET DHE LIRIMI
Rregullat e transferimit
Transferimet bëhen për arsye të rënda sigurie, kur rrezikohet jeta ose shëndeti i të dënuarit nga të tjerët, kur ka mbipopullim në institucion, për nevoja të hetimit dhe gjykimit, për shkaqe shëndetësore dhe familjare, si dhe kur për shkak të formimit profesional është i nevojshëm në një institucion tjetër.
Transferimet duhet të favorizojnë mundësi që të dënuarit ta kryejnë dënimin pranë vendbanimeve të familjeve të tyre.
Të dënuarit duhet të transferohen së bashku me sendet vetjake.
Lirimi
Lirimi i të dënuarve bëhet kur përfundon ekzekutimi i vendimit të dënimit ose në bazë të ligjit, me vendim të organit kompetent. Administrata kryen veprimet me urdhër me shkrim të drejtorit të institucionit.
Për të dënuar që nuk kanë mjete financiare dhe veshmbathje, me urdhër të drejtorit të institucionit i jepet një ndihmë në sasinë dhe sipas kritereve të rregullores së burgjeve.
Në të gjitha rastet kur rezulton që i liruari do të hasë në vështirësi për kthimin në jetën e lirë, drejtori i institucionit njofton për këtë organet e pushtetit lokal, ku banon i dënuari për asistencë të mëtejshme.
Për të dënuarit e mitur është i detyrueshëm njoftimi paraprak i prindërve ose kujdestarit të tij.
Gjykata që ka dhënë vendimin, organet e policisë lokale dhe Ministria e Brendshme njoftohen menjëherë për lirimin e të dënuarit dhe në raste të veçanta edhe paraprakisht. Për shtetasit e huaj njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë.
Të liruarit i jepet një vërtetim lirimi në të cilin saktësohet kohëzgjatja e vuajtjes së dënimit, uljet dhe përfitimet që ka pasur për shkak të ligjit, si dhe kohëzgjatja e lloji i punës së kryer në institucion.
Me kërkesën e tij mund të jepet edhe vërtetim me të dhëna për aftësimin profesional të fituar, si dhe njoftime për sjelljen në burg.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.