» Konferenca për të drejtat e njeriut në vendet e privimit të lirisë
Postuar më: 09/02/2016

Konferenca për të drejtat e njeriut në vendet e privimit të lirisë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizoi sot një tryezë diskutimi në kuadër të prezantimit të masave të ndërmarra për forcimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në vendet e privimit të lirisë, me pjesëmarrjen e përfaqësueseve të institucioneve shtetërore, institucioneve ndërkombëtare, përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile dhe botës akademike.

Në panel ishin të ftuar Z. Steve Hickling, Zv/Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë; Ambasador Florian Raunig, Kryetari i Prezencës të OSBE-së në Tiranë, Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, z. Robert Wilton, Këshilltari i DPB dhe përfaqësues i Ambasadës Britanike në Shqipëri, Ambasadorja e Hollandës në Shqipëri, Dewi De Weerd, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, që moderoi takimin dhe iu përgjigj diskutimeve aktive.

Në fjalën e tij të hapjes, z. Zoto ftoi institucionet përkatese dhe në veçanti Avokatin e Popullit i cili edhe pse ka kryer hetime, ti përfundojë ato në një kohë sa më të shpejtë, në mënyrë që mbarë opinioni të sqarohet mbi shkeljet ose jo të kryera nga punonjësit e institucionit të 313 në Tiranë. Megjithëse është një rast i shkëputur dhe i veçuar, z. Zoto theksoi se përkushtimi apo angazhimi i gjithë stafit të sistemit penitenciar nuk mund të njolloset nga ky rast.

“Liria në vetvete është një nder të drejtat më të shtrenjta të njeriut. Në shumë vende ashtu si dhe te ne, publiku ka pak njohuri rreth punës që bën stafi në burgje, Por fakti është qe edhe ne burg ka jetë, ka aktivitete, ka rregulla, ku sjellja e stafit duhet të orientohet nga detyrimi ligjor për të respektuar dinjitetin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Ka dhe shkelje apo mos respektim si duhet i të drejtave të të dënuarve, sjellje abuzuese dhe korruptuese. Prandaj mendoj, se ky aktivitet do të rrisë jo vetëm ndërgjegjësimin tonë, por edhe atë qytetar për të kërkuar nga administrata e burgjeve garantim të të drejtave të personave me liri të kufizuar. Me qëllim për tu siguruar se të drejtat e tyre kuptohen dhe respektohen sic duhet nga stafi, është e rëndësishme që administrata e burgjeve të ketë një deklarate të qartë vlerash të cilën e kemi miratuar para disa kohësh. Vlera këto si transparenca, ndershmëria, përkushtimi, barazia, etj, të mbështetura në instrumenta kombëtare dhe ndërkombëtare. Po kaq e rëndësishme është edhe fakti i informimit të publikut apo mediave në lidhje me këto vlera mbi të cilat stafi i burgjeve vepron. Natyrisht, që në baze të ligjit kërkohet plotësimi i disa kërkesave bazë fizike për të dënuarit dhe paraburgosurit që kanë të bëjnë me respektimin e dinjitetit të tyre, si kushte të përshtatshme akomoduese, higjenike, veshjeje, hapësire, cilësi ushqimi etj. Në kushte të vazhdueshme të një mbipopullimi, është e vështirë garantimi i këtyre kushteve, aq më tepër duke vlerësuar dhe infrastrukturën që kemi. Po kaq e rëndësishme është që stafi të gëzojë mbështetjen e duhur si dhe një trajtim të kënaqshem financiar pasi me të vertetë ata e njohin dhe kuptojnë më mirë burgun”- u shpreh Drejtori Zoto.

Gjithashtu Z. Igli Totozani në fjalimin e tij shprehu see ka pranuar me kënaqësi ftesën për t’u bërë pjesë e diskutimeve të kësaj konference, pasi vlerëson përpjekjet e bëra nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në funksion të përmirësimit të standardeve të trajtimit të të paraburgosurve e të dënuarve dhe të promovimit të drejtave dhe lirive themelore për këtë kategori personash.

“Respektimi, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut, është në vetvete një proces i vështirë, por i domosdoshëm i një shoqërie demokratike, që përcakton ndër të tjera shkallëne zhvillimit të saj. Jeta në burg duhet të përafrohet sa më shumë të jetë e mundur me aspektet pozitive të jetës në komunitet. E gjithë koha e ndalimit duhet të menaxhohet në mënyrë të tillë që të lehtësojë ri-integrimin në një shoqëritë lirë të persona vetë cilëve u është kufizuar liria.” u shpreh Z. Igli Totozani.

Gjithashtu shprehu shqetesimin për disa aspekte të cilat janë: problemi i mbipopullimit, si dhe ai i i trajtimit të paligjshëm të personave që kanë marrë nga gjykata masën “mjekim i detyruar” dhe“shtrim i përkohshëm. Vijojnë ankesat nga të dënuar e të paraburgosur për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike, pjesa dërrmuese e IEVP-ve paraqesin probleme të amortizimit, lagështirës, furnizimit me ndërprerje me energji elektrike e ujë, sigurimit të ndriçimit natyral dhe të ajrosjes së plotë të qelive, problemet me lejet shpërblyese e ato të veçanta, edhe si rrjedhojë e refuzimeve nga ana e komisariateve etj.

Në vijim të fjalëve përshëndetëse , edhe z. Robert Wilton, Kryetari në Detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, shprehu shqetësimin sidomos për trajtimin e të burgosurve me problemet shëndetësore si dhe mendore.

“Ky është një nga problemet më të mëdha, më urgjente, me të cilin ballafaqohet sistemi. Fakti që të burgosurit me problemet mendore janë akoma të burgosur në burg, në Shqipëri, nuk është vetëm në kundërshtim me ligjin, por është gjithashtu në kundërshtim me të drejtat e tyre për trajtim me dinjitet.Ne shpresojmë përzemërsisht në përpjekjet e qeverisë për të krijuar një institucion të veçantë mjekësor për personat më probleme mendore. Prezenca jone do të vazhdojë të mbështesë autoritetet Shqiptare në përmirësimin e kornizës ligjore. Gjithashtu do të vazhdojmë të mbështesim Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve ,Shërbimin e Provës dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore të personave që i janë privuar. Gjithashtu ofroj komplimentat e mia ndaj drejtorit të përgjithshëm z. Zoto per përkushtimin e tij të shfaqur në rastet si ditën e sotme”- theksoi z. Wilton.

Ndërsa më tej, tryeza vijoi me diskutime nga të pranishmit, ku u ngritën edhe disa çështje delikate, siç është sigurimi i mjediseve promovuese shëndetësore për të minimizuar rrisqet e të burgosurve në burgje, problemi i mbipopullimit; respektimi i dinjitetit të personave të burgosur, në lidhje me masat disiplinore në sistemin penitenciar etj.