Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e ndërsjellë në sistemin penitenciar, shkëmbimin e përvojave dhe sfidat me të cilat përballet ky sistem në ditët e sotme. Z. Qose theksoi se çdo person, pavarësisht rrethanave apo gabimeve të së shkuarës, meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë mundësi për një fillim të ri, duke vënë në pah rëndësinë e rolit që kanë predikuesit dhe përfaqësuesit e besimeve fetare në ofrimin e mbështetjes shpirtërore dhe emocionale për të dënuarit.
“U zotova që brenda këtij viti, çdo shërbëtor i Zotit që kontribuon në institucionet tona të vuajtjes së dënimit do të përfshihet në një skemë page, për të vlerësuar me dinjitet punën e tyre të vyer. Synojmë që deri në dhjetor të vitit 2025, çdo burg në vend të ketë kapelanin e vet të përhershëm, si dhe të zgjerojmë përfshirjen e përfaqësuesve të komuniteteve fetare në jetën shpirtërore të të burgosurve,” – deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt humanizimit të mëtejshëm të sistemit penitenciar, duke forcuar frymën e bashkëpunimit, respektit dhe besimit mes institucioneve dhe komuniteteve fetare. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi që garanton dinjitetin njerëzor, reformimin dhe rikthimin e çdo individi në shoqëri.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.