Në kuadër të fushatës për parandalimin e kancerit të gjirit dhe promovimin e kujdesit shëndetësor për gratë, Zëvendësministrja e Shëndetësisë, znj. Eugena Tomini, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, z. Klevis Qose, zhvilluan një vizitë në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për Gratë në Pojske (IEVPPojske).
Gjatë vizitës u ndoqën nga afër ekzaminimet e kryera me makinën e mamografisë, të dedikuara për gratë e akomoduara në këtë institucion si edhe për punonjëset e administratës.
Zëvendësministrja Tomini theksoi rëndësinë e depistimit të hershëm dhe të bashkëpunimit institucional për të rritur ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit: “Është shumë e rëndësishme kur solidarizohen institucione të këtij profili në drejtim të një sensibilizimi të tillë, sepse kanceri i gjirit është aq i heshtur, sa që ka shumë rëndësi depistimi i hershëm. Kjo merr vlerë të veçantë edhe përkundrejt profilit tuaj si institucion.”
Nga ana e tij, z. Klevis Qose vlerësoi këtë nismë si një hap domethënës drejt kujdesit për shëndetin e grave të dënuara dhe stafit: “Institucioni i Pojskës është një ndër më delikatët, pasi aty vuajnë dënimin gra të dënuara dhe të paraburgosura. Prania juaj dhe ofrimi i mamografisë në mënyrë të drejtpërdrejtë është një ndihmë shumë e madhe dhe një shembull i kujdesit njerëzor.”
Në vijim të aktivitetit, pjesëmarrëset patën mundësi të kryenin ekzaminimin falas dhe të merrnin këshillim mjekësor nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Imazhet e marra dërgohen për interpretim te mjeku radiolog i specializuar, i cili jep rekomandimet për ndjekje të mëtejshme kur është e nevojshme.
Një prej grave që kreu mamografinë u shpreh: “E bëj për të tretën herë. Një falënderim shumë i madh, sepse parandalohet një jetë.”
Znj. Tomini falënderoi gratë për pjesëmarrjen dhe kujdesin ndaj shëndetit të tyre, duke nënvizuar se shëndeti duhet të mbetet prioritet, pavarësisht kushteve apo rrethanave të jetës.
Në përfundim, z. Qose theksoi rëndësinë e integrimit dhe risocializimit të grave të dënuara përmes nismave që përfshijnë edhe kujdesin shëndetësor: “Gratë janë një forcë e madhe në jetën shoqërore dhe në punë. Integrimi dhe risocializimi i tyre bëhet me shumë përkushtim nga stafi ynë, ndaj meritoni mirënjohjen dhe respektin më të thellë.”
Kjo nismë, e realizuar në bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, përbën një shembull të qartë të përkushtimit institucional ndaj shëndetit, dinjitetit dhe mirëqenies së grave në çdo rrethanë.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.