Punësimi i të Dënuarve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale

Në burgje dhe paraburgime organika e të punësuarve është në varësi të nevojave të institucionit. Personat me liri te kufizuar zakonisht punësohen në këto vende pune: sera, ndihmës kuzhinier, shpërndarës ushqimi, mirëmbajtës, kopshtar, mekanikë, muratorë, punonjës biblioteke, pastrues. Këta punëtorë përfitojnë 4 ditë në muaj ulje dënimi.

Personat e punësuar kanë kuota më të larta kalorie se sa pjesa tjetër e të dënuarve dhe paraburgosurve. Gjatë një muaji janë punësuar mesatarisht 658 persona. Urdhri i nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, drejtuar të gjitha IEVP “Mbi krijimin e një komisioni të përhershëm, i cili do te merret me vlerësimin e të dënuarve të cilët do të punësohen”, ka përmirësuar praktikat e punësimit të dënuarve brenda institucioneve, duke shfrytëzuar në maksimum mundësitë që ofron institucioni për punësimin e të dënuarve.

Punësimi i të dënuarve realizohet kryesisht brenda institucioneve. Punësimi i këtyre të dënuarve ka ndikuar jo vetëm në përmirësimin e shërbimit në institucion por edhe në rehabilitimin e kësaj kategorie.

Është hartuar një draft punësimi për personat me liri të kufizuar ku është menduar të lidhen akte bashkëpunimi me biznese dhe firma të ndryshme për punësimin e personave me liri të kufizuar jashtë institucionit ku vuajnë dënimin. Me miratimin e shërbimit të provës, kjo iniciativë do të shihet me prioritet.

Ndërkohë, është miratuar Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve. Rregullorja e re e Përgjithshme e Burgjeve përcakton në detaje vendet e punës që punësohen të dënuarit dhe paraburgosurit, si dhe përfshirjen e tyre në sigurimet shoqërore dhe çdo lloj përfitimi që ka një qytetar i lirë i punësuar.