Mbërritja në Institucion

Moment mjaft i rëndësishëm për të dënuarin por edhe për personelin është mbërritja në institucion e të dënuarve të rinj.

Me të mbaruar procedura dokumentare ku bëhet verifikimi i dokumentacionit dhe njohja fizike e personit, i dënuari ose i paraburgosuri kalohet në ambientet e observimit dhe atje pyetet nga komisioni për gjendjen e tij shëndetësore e shpirtërore, problemet dhe shqetësimet që mund të ketë e të tjera.

Komisioni përbëhet nga drejtori ose zv/drejtori, mjeku, psikologu, edukatori, shefi i policisë, etj. Pas kohës së nevojshme në observim dhe kur edukatori e psikologu e shikojnë të arsyeshme i burgosuri kalon në regjimin e brendshëm me të dënuarit e tjerë.

Informacioni që merret nga të dënuarit me karakter shëndetësor dokumentohet në Kartelën Mjekësore personale. Në momentin e transferimit në një institucion tjetër, së bashku me dokumentacionet e tjera shoqërohet me kartelën personale mjekësore.

Çdo kontakt i të dënuarit me personelin mjekësor bëhet pa praninë e personave të tretë si dhe ruhet kofidencialiteti i të gjithë informacionit të marrë.

Në bazë të gjendjes shëndetësore bëhet dhe pozicionimi i personit në ambientin e duhur (dhomën) si dhe trajtimi shëndetësor ku pjesë përbërëse është edhe dieta ushqimore.

Çdo personi i bëhet me dije se ka të drejtë të vizitohet me dëshirën e tij në institucione mjekësore jashtë sistemit të burgjeve ku kostot financiare i merr vet përsipër.