Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Ambasadën Holandeze në Tiranë, organizuan me datë 17 janar 2017, inagurimin e ambienteve të reja për të miturit në IEVP Lezhë.
Rikonstruksioni i këtyre ambienteve u bë i mundur në sajë të një bashkëfinancimi të Komitetit Holandez të Helsinkit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Shqipërisë, me qëllim përmirësimin e standardeve të kushteve të jetesës të të miturve në IEVP Lezhë.
Komitetit Holandez të Helsinkit është duke zbatuar në IEVP Vlorë dhe Lezhë një projekt 3 vjeçar me titull “Përmirësimi i kushteve të jetesës për të miturit në sistemin e burgjeve në Shqipëri”, i cili konsiston në forcimin e kapaciteteve institucionale për ri-integrimin e të miturve në shoqëri.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin Z.Miklovan Kopani, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, Znj. Dewi van de WEERDAmbasadore e Holandës në Tiranë, Z. Pepijn GERRITS Drejtor Ekzekutiv i Komiteti Holandez të Helsinkit, Znj. Erida SKËNDAJ Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Holandës dhe Komitetit Holandez të Helsinkit, si dhe drejtues të OJF-ve të ndryshme aktive në fushën e drejtësisë për të miturit.
Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve bëri prezent masat e ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për ofrimin e një shumëllojshmëri programesh rehabilituese dhe të përgatitjes për ri-integrim, të konceptuara për të ndihmuar veçanërisht të miturit që pas lirimit të reduktojnë riskun për recidivizëm. Z.Kopani theksoi nevojën për angazhimin e përbashkët të të gjithë institucioneve dhe aktorëve të drejtësisë penale në vend për nxitjen e aplikimit të masave alternative të dënimit, që të mund të sigurojnë që sa më pak të mitur të kryejnë dënimin me heqje lirie në ambientet e burgut, duke u ofruar atyre mundësi më të përshtatshme për zhvillimin e potencialeve të tyre shoqërore.
Në mënyrë të veçantë, ai u ndal dhe vlerësoi kontributin disa vjeçar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Holandës dhe Komitetit Holandez të Helsinkit në forcimin e kapaciteteve të stafeve të burgjeve që punojnë me të miturit në sistemin e burgjeve për zbatimin e një regjimi kuptimplotë të aktiviteteve rehabilituese dhe ri-integruese për këtë kategori.
Me këtë investim, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tregon angazhimin e saj se pavarësisht numrit të të miturve në sistemin e burgjeve, çdo i mitur duhet të gëzojë të drejtën për standarde të përshtatshme trajtimi dhe jetesë, të cilat nuk mund të arrihen pa mbështetjen dhe kontributin e partnerëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Ambienteve të reja për të miturit në IEVP Lezhë, sigurojnë standarde më të mira trajtimi dhe jetesë për të miturit në këtë institucion. Këto ambiente kanë një kapacitet prej 16 vendesh, dhe ofrojnë hapësira të përshtatshme për zhvillimin e programeve rehabilituese për këtë kategori.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.