Vaqarr

Historiku

Në periferi të qytetit të Tiranës në anën jug-perëndimore të saj ndodhet komuna Vaqarr. Në këtë komunë ndodhet Institucioni i Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Vaqarr. Ambientet në të cilat funksionon aktualisht IEVP Vaqarr kanë shërbyer si repart ushtarak nën varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas nën varësi të Ministrisë së Rendit Publik. Ky institucion njihej me emrin burgu 327 Vaqarr.

Në vitin 1996 këto ambiente kaluan në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Gjatë vitit 1998 ambientet u përshtatën si institucion të vuajtjes së dënimit. Punimet përfunduan në prill të vitit 1999. Në maj të këtij viti u transferuan të dënuarit e parë, një numër i reduktuar prej 25 vetash. Gjatë viteve në vazhdim, vazhdoi transferimi i të dënuarve sipas parimit rajonal.

Për të krijuar kushte sa më normale për personat me liri të kufizuar, janë bërë një sërë investimesh ndër të cilat mund të përmendën, fushat e ajrosjes, fushën e futbollit, basketbollit, këndi sportiv, ngritja e ofiçinës ku janë punësuar një numër i konsiderueshëm të dënuarish, furrën e bukës, serë për kultivimin e luleve dhe pemëve, shkolla e trajnimit për stafin policor etj…

Në vitin 2004 institucioni merr emrin zyrtar Institucioni i Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Vaqarr. Ky institucion u kategorizua siguri e zakonshme me një seksion për të miturit. Kapacitetet maksimale të ofruara janë për 146 persona.

Orari i Vizitave

Orari i vizitave për familjarët është nga e hëna në të shtunë ora 08:00 –14:30. Numri i vizitave të lejuara në muaj është 4.

Aktivitetet

Në shtator të vitit 2000 në këtë institucion është hapur shkolla 9-vjeçare për të dënuarit, e cila vazhdon edhe në ditët e sotme. Deri në vitin akademik 2007-2008 janë pajisur 32 të dënuar me dëftesë lirimi dhe 7 të dënuar kanë përfunduar ciklin e ulët.

Në programin e aktiviteteve që drejtoria e IEVP Vaqarr realizon, bashkërendon punën edhe me organizata jo fitimprurëse si me Kliniken Ligjore për të Miturit, CRCA, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Kristiane për të Dënuarit në Shqipëri, Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve, përfaqësues të shërbesave fetare katolike dhe myslimane. Gjithashtu, organizohen aktivitete të ndryshme sportive e kulturore si dhe ofrohen programe edukative si shërbimi për librin, kurse informatike, gjuhë të huaj etj.

Shërbimet që Ofrohen

Shërbimet kryesore që ofrohen për të dënuarit në IEVP Vaqarr janë: shërbim shëndetësor dhe stomatologjik 24 orësh, kujdes social, këshillime psikologjike, asistencë ligjore, etj.

Adresa dhe Numrat e Kontaktit

Adresa: Vaqarr, Tiranë

Numër kontakti: 042301035 – 0686056011

Email: info.ievpvaqarr@dpbsh.gov.al