Historiku
Me zgjerimin e luftës antifashiste nacional çlirimtare u shtuan përndjekjet dhe burgosjet, duke i mbipopulluar burgjet. Gjatë kësaj periudhe, krahas ngritjes së disa kampeve përqendrimi si Portoromano në Durrës, Gërmen në Burrel, u hap në Tiranë burgu politik, sot IEVP Jordan Misja. Godina është ndërtuar si godinë në vitin 1929.
Kështu, në datën 01.12.1944 me urdhër të qeverisë së atëhershme u krijua në qytetin e Tiranës burgu nr. 5 “për izolimin nga shoqëria të elementëve që konsideroheshin armiq dhe kriminelë të luftës”. Në këtë burg u izoluan kundërshtarët kryesor të komunizmit, si qytetarë të thjeshtë, intelektualë, drejtues të luftës dhe anëtarë të udhëheqjes që rrezikonin sundimin e Hoxhës.
Në vitin 1955 me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, burgjet u emëruan reparte. Burgu i Tiranës “Jordan Misja” u quajt reparti 313. Nga viti 1967 burgu 313 ka shërbyer si burg transit dhe paraburgim. Në nëntor të vitit 1967, godina e vjetër e burgut u mbyll dhe në vitin 1999 të arrestuarit dhe të dënuarit u vendosën në godinën në të cilën ndodhet burgu në ditët e sotme. Të dënuarit për krime kundër shtetit u vendosën në burgun e Burrelit.
Në vitin 1991-1992 u liruan të gjithë të burgosurit politik. Pas vitit 1992 filloi reformimi ligjor i administratës së burgjeve. U vendosën lidhje me Komitetin Evropian dhe Këshillin e Evropës duke hartuar programe bashkëpunimi. Qëllimi i bashkëpunimit ishte të sigurohej konformiteti me Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut, Konventën Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Rregullat Evropiane të Burgjeve.
Për të përmirësuar kushtet dhe ambientet e jetesës së paraburgosurve gjatë viteve të fundit janë bërë një sërë rikonstruksionesh me financim të buxhetit të shtetit. Godina ekzistuese ka një kapacitet për 320 persona. Sipas Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë, ky institucion është kategorizuar i sigurisë së lartë i ndarë në dy sektorë, burra dhe të mitur.
Orari i Vizitave
Orari i vizitave për familjarët është nga e hëna në të shtunë ora 08:00 –14:00. Numri i vizitave të lejuara në muaj është 4.
Aktivitetet
Aktivitetet kryesore në këtë IEVP përfshijnë aktivitete edukuese, sportive, lojëra tavoline, aktivitete fetare si dhe me rastin e festave të ndryshme organizimi i aktiviteteve kulturore.
Shërbimet që Ofrohen
Në Paraburgimin Jordan Misja, të paraburgosurve u afrohet shërbim shëndetësor, asistencë juridike, asistencë psikologjike dhe sociale, shërbimi telefonik për kontakte me familjarët, avokatët si dhe me Avokatin e Popullit.
Adresa dhe Numrat e Kontaktit
Adresa: Rr. “Jordan Misja”, Tiranë
Numër kontakti: 0686056001
Email: info.ievpjordanmisja@dpbsh.gov.al
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.