Në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave”, më datë 23 shtator 2024, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës organizoi një aktivitet të veçantë social me të burgosurit, duke u fokusuar në rëndësinë e komunikimit jo-verbal dhe ndërveprimit përmes gjuhës së trupit. Kjo nismë u zhvillua me synimin për të nxitur përfshirjen sociale të të burgosurve, duke rritur ndërveprimin e tyre social dhe njohuritë mbi mënyrat alternative të komunikimit.
Aktiviteti u mbështet në temën: “Gjuha e trupit tregon më shumë se fjalët”, duke theksuar fuqinë e komunikimit jo-verbal, si një mjet i rëndësishëm për shprehjen e emocioneve, mendimeve dhe mesazheve në situata të ndryshme. Përmes kësaj nisme, të burgosurit u angazhuan në një seri ushtrimesh dhe ndërveprimesh që synonin të përmirësonin aftësitë e tyre për të kuptuar dhe përdorur gjuhën e trupit në mënyrë efektive.
Përfaqësues të stafit të IEVP Durrës, së bashku me profesionistë të fushës së psikologjisë dhe pedagogjisë, ndihmuan të burgosurit të zhvillonin vetëdijen për rëndësinë e gjuhës jo-verbale në jetën e përditshme. Njohja e gjuhës së trupit është një hap thelbësor drejt ndërtimit të marrëdhënieve më të mira sociale dhe përmirësimit të komunikimit të brendshëm, veçanërisht për personat që përballen me kufizime në liri.
Ky aktivitet është pjesë e një programi më të gjerë të IEVP Durrës, që synon të mbështesë rehabilitimin e të burgosurve dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi nevojën për ndërveprime sociale më të shëndetshme, përmes metodave të ndryshme edukative dhe praktike.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.