IEVP Durrës

Historiku

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal Durrës është krijuar në korrik të vitit 2007. Kushtet fillestare të paraburgimit që ofroheshin për personat që mbaheshin në këtë institucion nuk ishin mjaft të përshtatshme për trajtimin sipas standardeve evropiane dhe të drejtave të personave me liri të kufizuar.

Për të përmirësuar kushtet në të cilat ndodheshin të paraburgosurit si dhe ndërtimin e një institucioni me standarde bashkëkohore, në qershor të vitit 2007, me financim të Qeverisë Shqiptare filloi ndërtimi i paraburgimit të ri.

Ndërtimi i paraburgimit të ri në Durrës është objekti i parë me financim të buxhetit të shtetit që ndërtohet në sistemin penitenciar. Vlera e plotë e objektit për anën ndërtimore është 157 621 000 lekë. Gjatë dhjetorit të vitit 2008 përfunduan punimet për ngritjen e dhomave të takimit të paraburgosurve në këtë institucion.

Në fillim të muajit janar 2009 ky institucion u vu në shfrytëzim të plotë me transferimin e të paraburgosurve në institucionin e ri.

IEVP Durrës kategorizohet institucion paraburgimi, me një seksion për të mitur si dhe një seksion për personat që konsiderohen bashkëpunëtorë të drejtësisë sipas kritereve të Ligjit nr. 9205, datë 15.03.2004, “ Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”. Kapaciteti i institucionit është për 300 persona.

Orari i Vizitave

Orari i vizitave për familjarët është nga e hëna në të premte ora 08:00 –15:00, të shtunën 08:00 – 11:00. Numri i vizitave të lejuara në muaj është 4.

Aktivitetet

Në katin e parë të këtij objekti ndodhen ambientet këshilluese, sportive, kulturore, fetare dhe ambiente të tjera si ambienti i palestrës, ambiente për lojëra tavoline, biblioteka, ambientet e kultit, ambienti për punimet artizanale etj. Krijimi i këtyre ambienteve ka bërë të mundur gjallërimin e jetës në institucion nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të ndryshme me karakter social, edukues, kulturor, sportiv e fetar. Për arsimimin e të paraburgosurve është arritur bashkëpunimi me shkollën “Vinsent Prengdushi” dhe janë planifikuar programet e mësimit të cilat zhvillohen 3 herë në javë në regjimin e brendshëm.

Shërbimet që Ofrohen

Në IEVP Durrës ofrohen për të paraburgosurit shërbime të ndryshme si shërbimi mjekësor, shërbimi psiko-social dhe edukativ. Nëpërmjet bashkëpunimit me institucione të tjera është arritur të realizohet pajisja e bibliotekës me literaturë të re.

Në vëmendje të stafit të IEVP Durrës janë kategoritë e veçanta, të cilat janë përfshirë në programe të trajtimit individual si:

minorenët
personat me probleme të përshtatjes
personat me probleme të shëndetit mendor
personat që kanë krijuar varësi ndaj substancave narkotike
personat e identifikuar si të predispozuar për të realizuar vetëvrasje
Adresa dhe Numrat e Kontaktit

Adresa: Lagjja nr. 17, ish-këneta, Durrës

Numër kontakti: 0686056014

Email: info.ievpdurres@dpbsh.gov.al