» Goditen dy raste të shkeljes së sigurisë në IEVP Durrës dhe Fier
Postuar më: 26/06/2026

Goditen dy raste të shkeljes së sigurisë në IEVP Durrës dhe Fier

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon kontrollet e pandërprera dhe zbatimin e politikës së tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit dhe cenimit të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Në IEVP Durrës, si rezultat i analizës së riskut ndaj punonjësve të evidentuar me prirje për përfshirje në futjen e sendeve të ndaluara, si dhe në bazë të informacionit të siguruar në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, u bë e mundur kapja në flagrancë e një punonjësi të Policisë së Burgjeve, i cili tentoi t’i kalonte një të paraburgosuri lëndë të dyshuar narkotike. Punonjësi u pezullua menjëherë nga detyra, ndërsa gjatë kontrollit fizik iu gjet edhe një sasi tjetër e dyshuar me lëndë narkotike.

Në IEVP Fier, gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e paraburgimit, u gjetën dhe u sekuestruan dy telefona celularë dhe një fishë karikimi, pa autor të identifikuar.

Të dyja rastet po ndiqen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale dhe hetimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e vendosur në zbatimin e ligjit dhe forcimin e masave për garantimin e rendit, sigurisë dhe integritetit në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.