Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimit dhe Kujdesit Social pranë Bashkisë Lezhë, Qendrës për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve si dhe Caritas -it Shqiptar organizoi një takim të përbashkët, mbi fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të të miturve dhe të rinjve në konflikt me ligjin. Vëmendje e veçantë iu kushtua diskutimit lidhur me masat multidisiplinare që duhen ndërmarrë, në funksion të përgatitjes për lirim për këta të dënuar. Politika e sistemit penitenciar në vend është mbështetur në detyrimet e ndërmarra të Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë, për përmirësimin e trajtimit të shtetasve në konflikt me ligjin, e rritjen e sigurisë në vend, duke synuar shndërrimin e dënimit penal në një mundësi rehabilitim – riintegrimi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka peshën dhe detyrimin kryesor në këtë proces, por megjithatë, legjislacioni ka përcaktuar dispozita të qarta për përfshirjen edhe të pushtetit vendor – roli i të cilit është i pazëvendësueshëm sa lidhet me strukturat dhe aktorët e tjerë që përfshihen në këtë proces. Në këtë kuadër, merr rëndësi të veçantë forcimi i mekanizmit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional për çështjet e ri-integrimit të të dënuarve, me qëllim që të njihen paraprakisht nevojat, profilet, mundësitë dhe kapacitetet e tyre, që të arrihet kështu maksimumi i mundshëm i risocializimit të të dënuarve pas lirimit të tyre.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.