Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë, Klevis Qose, ishte në një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, Këshilltarin Global të ICITAP-it për Kundërterrorizëm, Bill Sage, dhe Këshilltarin Rajonal për Njësitë e Inteligjencës Korrektuese, Frank Karam.
Takimi, i cili u zhvillua në zyrat e Shërbimit Korrektues në Kosovë, u fokusua në çështjet e sigurisë në institucionet korrektuese të të dyja vendeve, duke u përqendruar në ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira në menaxhimin e burgjeve.
Gjatë këtij takimi, u theksua rëndësia e mbështetjes së ICITAP-it, veçanërisht në rritjen e kapaciteteve, praktikave më të mira dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Në kuadër të kësaj mbështetjeje, janë identifikuar pajisje të rëndësishme për sistemin e burgjeve, përfshirë skanerë, kamera detektuese të telefonave dhe pajisje të tjera sigurie. ICITAP-i dhe INL-i vazhdojnë të jenë partnerë të rëndësishëm për zhvillimin dhe reformimin e Sistemit të Burgjeve në Shqipëri dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke ofruar mbështetje të pazëvendësueshme për përparimin e këtij institucioni.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.