» FORCOHET BASHKËPUNIMI ME AMBASADËN BRITANIKE
Postuar më: 13/11/2026

FORCOHET BASHKËPUNIMI ME AMBASADËN BRITANIKE

Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, znj. Sadleva Bodo, priti në një takim prezantues Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. Nicholas Abbott.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i frytshëm ndërinstitucional ndër vite, me fokus të veçantë në mbështetjen e dhënë për investimet, modernizimin e infrastrukturës dhe kushteve logjistike në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP).

Në fokus të diskutimeve ishte vijimi i projekteve të përbashkëta, si dhe vijueshmëria e marrëveshjes për transferimin e shtetasve shqiptarë të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit në Shqipëri.

U shkëmbyen gjithashtu mendime mbi zhvillimet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet sistemi i burgjeve, përfshirë presionet e natyrave të ndryshme që shoqërojnë punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Pavarësisht problematikave dhe sfidave të hasura, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garantoi palën britanike se do të vijojë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive funksionale në përputhje të plotë me ligjin, me profesionalizëm dhe paanshmëri institucionale, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe trajtimin dinjitoz të personave të privuar nga liria.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon Mbretërinë e Bashkuar dhe mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit me te gjithë partnerët ndërkombëtarë, modernizimin e sistemit penitenciar dhe konsolidimin e standardeve institucionale.