E nderuar Znj. Zëvëndëskryeministre,
I nderuar Z. Ministër i Drejtësisë, të nderuar Ministra,
E nderuar Znj. Avokate e Popullit,
Të nderuar kryetarë të Komisioneve Parlamentare, zonja e zotërinj deputetë
Të nderuar Krerë të Besimeve Fetare në vendin tonë,
Të nderuar përfaqësues të përfaqësive diplomatike, miq e të ftuar, koleg!
Jam tejet i lumtur që sot jam para Jush dhe më jepet mundësia të prezantoj punën e përbashkët në këto dy vite, për sistemin penitenciar, por edhe të shpreh mirënjohjen për kontributin që Ju keni dhënë për përmirësimin e këtij sistemi që nga viti 1994 kohë kur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u shkëput nga Ministria e Brëndshme dhe ju bashkua Ministrisë së Drejtësisë. Sistemi i burgjeve, është një sistem që punon mbi një shtrat ligjor të mirërregulluar si në nivel kombëtar dhe ndërkombetar. Gjithsesi, në zbatimin e këtyre sandardateve, ne jemi përpjekur, e shpresoj ia kemi dalë, të qendërzojmë edhe vizionin tonë si pjesë e misionit më të gjere të institucioneve ligjzbatuese për të pasur më shumë siguri, e për të garantuar jetesë të paqtë në komunitet.
Kështu puna jonë është fokusuar në përmbushjen e qëllimit bashkëkohor të ekzistencës së sistemit penitenciar, që formësohet në 2 shtylla, ajo e ekzekutimit të drejtë të vendimeve penale dhe ajo e rehabilitimit të të dënuarve.
Ndërsa shtylla e parë, ndonëse jo pa sfida, ka qenë një ushtrim i njohur e gjithpranuar shtetëror e shoqëror, zhvillimi e zbatimi i shtyllës së dytë ka qenë në qendër të punës sonë me intensitet të shtuar në këto 2 vite. Kujdesi për të ndihmuar të burgosurit të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në mënyrë që ata të jenë më të përshtatshëm e më të aftë për t’iu bashkuar shoqërisë është kthyer tashmë në një qëllim e dedikim të përditeshëm e të vazhdueshëm të çdo qelize të institucionit tonë. Për këtë kemi riorganizuar e shtuar një sërë programesh arsimore e edukuese, trajnimesh profesionale, këshillimi psikologjik e social. Mundësimi i punësimit ndersa vuajne denimin, shpërblimi i tyre për këtë punë, si dhe përgatitja e të dënuarve me aftësi profesionale për tu riintegruar në shoqëri pas lirimit, janë objektiva të arritur por për të cilët vijojmë punën për përmirësim cilësor çdo ditë. Gjithashtu, përfshirja në aktivitete sociale e të burgosurve dhe paraburgosurve ndihmon në zvogëlimin e rikthimit në kriminalitet dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
Nga ana tjetër ruajtja e sigurisë se personelit dhe e të burgosurve është një prioritet thelbesor i yni. Krijimi i një ambienti të sigurt dhe parandalimi i dhunës vijon të mbetet pjesa më e rëndësishme e punë sonë të përditëshme.
Por edhe transparenca në menaxhimin e sistemit penitenciar është thelbësisht e rëndësishme për të siguruar që të drejtat dhe nevojat e të denuarve të respektohen.
Kemi punuar fort që të sigurohemi se çdonjëra e të gjitha të drejtat themelore të të denuarve apo paraburgosurve të respektohen, duke përfshirë kushte jetësore të mira, trajtimin të denjë e të drejtë dhe barazi para ligjit. Në punën tonë edhe ne, në kuadër të nismave të përgjithshme të qeverisjes së vendit, kemi krijuar sisteme digjitale për të lehtësuar ofrimin e shërbimeve për personat e denuar dhe familjarët e tyre, në mënyrë të barabartë, me eficiencë, e pa humbje kohe e do të vijojmë edhe në ardhmen të digjitalizojmë pjesë të tjera të shërbimeve për të rritur eficiencën e administrimit të këtij sistemi.
Sa më sipër është vetëm një përmbledhje e shkurtër e atyre aspekteve të punës së deritanishme të personelit në institucionin tonë për të pasur një sistem penitenciar modern dhe cilësor që ka në qendër të tij riedukimin, rikuperimin dhe riaftesimin e individëve me liri të kufizuar.
Të nderuar pjesmarrës, gjej rastin të shpreh mirënjohjen Time personale si dhe të gjithë personelit të sistemit të burgjeve, për mbështetjen e dhënë nga Qeveria Shqiptare për Sistemin e Ekzekutimit te Vendimeve Penale me Burg, apo me Gjysemliri. Ne e dime se jo gjithçka mund të realizohet menjëherë, por shumëçka mund të realizohet me frymë përkatësie, dedikim e punë të palodhur!
Faleminderit!
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.