Drejtori i Përgjithshëm zhvilloi një takim në Pojskë me znj. Juljana Reso, Drejtoreshë e Caritas-it Shqiptar, ku u firmos marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Caritas-it Shqiptar.
Ky dokument rikonfirmon një partneritet të qëndrueshëm dhe të frytshëm ndër vite në sistemin penitenciar, me theks të veçantë te IEVP Pojskë dhe IEVP e të miturve në Kavajë, ku Caritas-i ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm në mbështetjen, edukimin dhe riintegrimin social të të dënuarve.
Gjatë takimit, të dyja palët riafirmuan rëndësinë e një bashkëpunimi të strukturuar dhe afatgjatë. Znj. Reso vlerësoi prezencën e gjatë dhe të qëndrueshme të Caritas-it në këto institucione dhe shprehu gatishmërinë për të çuar më tej këtë partneritet, përmes projekteve të përbashkëta që përfshijnë mbështetje me burime humane dhe financiare.
Ky bashkëpunim pasqyron një angazhim të përbashkët për të ndërtuar politika sociale më efektive në sistemin penitenciar, me fokus tek rehabilitimi dhe integrimi i të dënuarve në shoqëri.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.