Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri organizuan një trajnim në datat 12 deri më 16 qershor 2023 për 25 punonjës të regjimit të posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Regjimi i posaçëm i cili filloi të zbatohet në Shqipëri në vitin 2020, është mbështetur në modelin italian 41-bis duke vendosur një sërë kufizimesh mbi të burgosurit.
Pjesëmarrësit u njohën me konceptet, mjetet dhe aftësitë për të trajtuar të dënuarit me rrezikshmëri të lartë në këtë regjim. Trajnimi u përqendrua te specializimi i stafit të burgjeve si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në trajtimin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Një falënderim i veçantë shkon për Prezencën e OSBE-së, si një ndër mbështetësit kryesorë të përpjekjeve për reformimin e sistemit të burgjeve.
Këto veprimtari janë vijimësi e mbështetjes së Prezencës për reformën e burgjeve në Shqipëri përgjatë viteve dhe të përfshirjes aktive të saj në promovimin e të drejtave të njeriut për personat e dënuar dhe të paraburgosurit. Së fundmi, në dhjetor 2022, Prezenca organizoi një vizitë studimore të zyrtarëve shqiptarë në mjediset e regjimit 41-bis në Itali.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.