Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, mori pjesë në tryezën e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ku u trajtua gjendja aktuale dhe sfidat e sistemit të burgjeve në Shqipëri. Diskutimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi mes përfaqësuesve të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.
Në qendër të debatit ishin problematika si trajtimi i të dënuarve dhe paraburgosurve, përmirësimi i kushteve të jetesës, forcimi i shërbimeve shëndetësore dhe psiko-sociale, ulja e mbipopullimit dhe rritja e aksesit në arsim dhe formim profesional.
Z. Qose vlerësoi panelin e përbërë nga znj. Erida Skëndaj, znj. Erinda Ballanca, z. Klajd Karameta, z. Robert Gajda dhe ekspertët Përparim Kabo, Zylyftar Bregu dhe Gledis Nano, për analizat e thelluara dhe qasjen konstruktive ndaj nevojave të sistemit penitenciar.
Ai theksoi gjithashtu masat konkrete të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në drejtim të ndërhyrjeve infrastrukturore, dixhitalizimit të proceseve, zhvillimit të programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit, si dhe ngritjes së Qendrës së Trajnimit për stafin.
Në përfundim, drejtori Qose shprehu vlerësimin për angazhimin e Komitetit të Helsinkit në forcimin e dialogut institucional dhe respektimin e të drejtave të personave të dënuar dhe paraburgosur. Ai falënderoi veçanërisht profesionistët e shërbimit psiko-social për rolin kyç që luajnë në mbështetjen dhe rehabilitimin e të dënuarve.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.