Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Z. Arben Çuko priti në një takim zyrtar një delegacion të lartë të Zyrës Federale të Drejtësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, të kryesuar nga Znj. Anke Schlimm, drejtuese e zyrës. Qëllimi kryesor i vizitës ishte të njiheshin me kushtet e Institucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale (IEVP) në Shqipëri, standardet e trajtimit të personave me liri të kufizuar, si dhe aktivitetet ditore që ofroheshin për rehabilitimin e personave me liri të kufizuar.
Vizita e delegacionit zgjati tre ditë prej datave 9-11 janar 2018 dhe gjatë qëndrimit vizituan katër institucione, IEVP Ali Demi, Tiranë, Peqin, Fier dhe Kavajë. Në përfundim të vizitës në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, delegacioni zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, ku u përcollën përshtypjet në lidhje me institucionet e vizituara.
Delegacioni shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për nivelin shumë të mirë të organizimit të vizitës në të gjitha institucionet, si dhe vlerësoi përparimet e bëra në fushën e respektimit të drejtave të njeriut në burgjet shqiptare. Gjithashtu, parashtroi disa çështje të rëndësishme për bashkëpunimin midis dy institucioneve, duke e vënë theksin te përmirësimi i standardeve të trajtimit të burgosurve në të gjitha institucionet, sikurse katër IEVP e vizituara gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, si dhe ndarjen e praktikave pozitive midis dy vendeve për menaxhimin e të burgosurve.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve siguroi për vullnetin e Qeverisë Shqiptare për respektimin e të drejtave themelore në institucionet e burgimit dhe të paraburgimit, si dhe e njohu delegacionin me arritjet dhe sfidat kryesore të sistemit të burgjeve shqiptare.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.