» Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose takim me mjekët dhe infermierët e sistemit penitenciar
Postuar më: 21/10/2024

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose takim me mjekët dhe infermierët e sistemit penitenciar

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, mori pjesë sot në një takim me mjekët dhe infermierët e sistemit penitenciar, së bashku me shefen e Shërbimit Shëndetësor, znj. Drita Jaka, drejtorin e Qendrës Shëndetësore të Burgjeve, z. Shkëlqim, dhe drejtorin e Burimeve Njerëzore, Projekteve dhe Investimeve, z. Daniel Naco. Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e përmirësimit të infrastrukturës dhe pajisjes me aparatura të avancuara mjekësore për burgjet, si dhe rëndësia e marrjes së donacioneve për të ndihmuar në përmirësimin e këtyre shërbimeve.

Z. Qose vuri në dukje se programi i motivimit dhe trajnimi i personelit shëndetësor do të jenë prioritete të rëndësishme. Ai theksoi nevojën për të përmirësuar organizimin dhe kapacitetet e strukturave shëndetësore, duke theksuar se puna e tyre është e vështirë dhe kërkon mbështetje të veçantë për shkak të natyrës specifike të detyrave që kryejnë.

“Gjithmonë do të jap maksimumin tim dhe do të përdor të gjitha kapacitetet e mia për t’ju mbështetur në çdo sfidë që hasni. Puna juaj është kolosale dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme për shërbimin e burgjeve, edhe pse shpesh nuk pasqyrohet sa duhet,” tha z. Qose.

Ai kërkoi nga stafi mjekësor që të paraqesin detajet e punës së tyre, për t’i pasur në konsideratë dhe për të paraqitur problemet dhe sfidat në mënyrë më të strukturuar, në mënyrë që të arrihet një nivel më i lartë respekti dhe mbështetje për profesionin e tyre.

Z. Qose shtoi se një ndër projektet e ardhshme do të jetë përfshirja e punonjësve të shëndetësisë në iniciativa dhe ide për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë brenda sistemit penitenciar. Ky projekt do të përfshijë propozime për laboratorët dhe kabinetet spitalore, nga faza fillestare deri në zbatim të plotë.

Gjithashtu, ai përmendi se ambientet e punës aktualisht nuk janë në gjendje optimale, por po punohet për prokurimin e 15 ambulancave të reja, për të cilat fondet janë siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme dhe të ardhurat nga sendet e sekuestruara.

Për sa i përket përdorimit të metadonit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi kujdes të veçantë dhe theksoi rëndësinë e trajnimeve dhe licencimeve përkatëse për të gjithë personelin shëndetësor.