» Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, pret ambasadorin turk Tayyar Kağan Atay
Postuar më: 16/04/2025

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, pret ambasadorin turk Tayyar Kağan Atay

Tiranë– Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, priti në një takim zyrtar ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sistemit penitenciar. Takimi u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe u përqendrua në mundësitë konkrete të angazhimit të shtetit turk në mbështetje të sistemit penitenciar shqiptar.

Drejtori Qose kërkoi përfshirje të ekspertizës turke në fushat e trajnimeve, proceseve rehabilituese dhe integruese të të dënuarve, si dhe mbështetje të veçantë për Institucionin e Mjekësisë së Posaçme në Lezhë, ku qëndrojnë 480 shtetas (pacientë) që kanë një vendim gjykate me masë mjekësore.
Kjo përbën një sfidë reale për sistemin tonë,” u shpreh Qose, duke nënvizuar se nevojat për përmirësimin dhe mbështetjen e këtij target grupi janë prioritet i vazhdueshëm për sistemin.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për organizimin e vizitave studimore për stafin e burgjeve shqiptare në institucionet homologe turke.

Nga ana e tij, ambasadori Atay vlerësoi mikpritjen e Drejtorit të Përgjithshëm Klevis Qose dhe shprehu gatishmërinë për të kontribuar me projekte konkrete në funksion të përforcimit të sistemit penitenciar shqiptar. “Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Shqipërinë, si në planin ndërinstitucional, ashtu edhe në atë politik. Dua të konfirmoj se, në cilësinë e ambasadorit, jam i gatshëm të mbështes thellimin e bashkëpunimit,” tha Atay.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve shqiptare me ato turke në çështje si ekstradimi i shtetasve turq dhe shkëmbimi i informacionit: “Ju jam mirënjohës për gjithë mbështetjen që i keni dhënë institucionit tonë në proceset e ekstradimit dhe për bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të informacionit.”

Ambasadori bëri me dije gjithashtu se në muajin korrik pritet të realizohet vizita e Ministrit të Drejtësisë së Turqisë në Shqipëri, ku do të zhvillohet një agjendë dypalëshe.
Kjo është një mundësi shumë e mirë që kërkesat tuaja t’i përcillen drejtpërdrejt palës turke. Ne do t’ju qëndrojmë pranë deri në realizimin e tyre,” tha Atay.