» Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, mori pjesë në ceremoninë e gradimit të punonjësve të Policisë së Burgjeve në IEVP Elbasan
Postuar më: 09/04/2025

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, mori pjesë në ceremoninë e gradimit të punonjësve të Policisë së Burgjeve në IEVP Elbasan

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Elbasan organizoi një ceremoni të veçantë për betimin dhe gradimin e punonjësve të Policisë së Burgjeve, të cilët, pas përfundimit me sukses të periudhës njëvjeçare të provës, morën për herë të parë gradën e inspektorit.

Në këtë aktivitet mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, i cili, së bashku me Drejtorin e Policisë së Burgjeve, z. Paulin Rajta, përgëzuan punonjësit për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj periudhe sfiduese.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi vendimin e punonjësve të rinj për të ndërtuar një karrierë brenda Sistemit Penitenciar dhe i inkurajoi ata që të vijojnë rrugën e zhvillimit profesional përmes rritjes në gradë dhe marrjes së detyrave me përgjegjësi më të lartë. “Sinqeriteti dhe përkushtimi në punë janë ura të sigurta për të ecur përpara në karrierë. Jeni pjesë e një strukture me rëndësi të veçantë, ku profesionalizmi dhe integriteti janë vlera thelbësore. Vijoni të përmirësoheni dhe të synoni lartësitë brenda sistemit,” u shpreh z. Qose gjatë ceremonisë.

Një falënderim i veçantë iu drejtua Drejtorit të IEVP Elbasan, z. Altin Ago, për mbështetjen dhe orientimin e punonjësve të rinj në këtë rrugë të vështirë, por me vlerë dhe mundësi të mëdha për zhvillim.