» Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, z.Sadleva Bodo, prezanton në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, prioritetet buxhetore për vitin 2027
Postuar më: 11/11/2026

Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, z.Sadleva Bodo, prezanton në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, prioritetet buxhetore për vitin 2027

Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, znj. Sadleva Bodo, prezantoi në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, në Kuvendin e Shqipërisë, realizimin e buxhetit për vitin 2026 dhe nevojat buxhetore për vitin 2027.

Në fokus të kërkesave për financim shtesë janë tre prioritete kryesore:

-Përmirësimi i infrastrukturës penitenciare, përmes përmbushjes së rekomandimeve të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (KPT), në kuadër të standardeve të Këshillit të Evropës, lidhur me ndërtimin e IEVP Lezhë.

-Përmirësimi i kushteve të punës për punonjësit e Policisë së Burgjeve, përmes kompensimit me ushqim dhe pajisjes me uniforma.

-Rritja e sigurisë fizike dhe teknologjike në institucionet penitenciare, përmes investimit në sisteme dhe pajisje bashkëkohore të sigurisë.

Investimi në Sistemin e Burgjeve nuk është thjesht investim në infrastrukturë apo në shërbime administrative. Ai përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë publike, respektimin e të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, rehabilitimin dhe riintegrimin shoqëror, si dhe forcimin e shtetit të së drejtës.