Me iniciativë të Universitetit Luarasi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në kuadër të projektit “Drejtësia për të mitur” mbështetur nga Agjensia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, pranë Ministrisë së Arsimit, në IEVP Kavajë u zhvillua një takim trajnues për punonjësit e këtij institucioni.
“Drejtësia për të mitur” është një manual i dalë nga një punë kërkimore e pedagogëve të Universitetit të Luarasit duke sjellë në vëmendje edhe eksperiancat e vendeve europiane si dhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ky manual vjen si praktikë si për administratën e burgjeve edhe për të rinjtë që kanë probleme me ligjin. Manuali përfshin në trajtimin e vet dispozitat procedurale, norma detyruese, sjellje të praktikës gjyqësore si dhe pyetjen e të miturëve si dëshmitar apo të miturve që janë në rolin e viktimës.
Gjatë takimit, drejtoresha e IEVP-së Kavajë, Marinela Aliaj u shpreh se një metodologji e tillë është një risi në punën e tyre dhe do të ndikojë ndjeshëm në punën e përditshme me të miturit.
Përfaqësuese e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, zj. Rezarta Musaj shprehu falenderime për të këtë bashkëpunim të frytshëm në kuadër të rritjes së performancës së stafit, i cili merret me këtë kategori specifike.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.