Ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov nga Shqipëria në Rusi u realizua sipas procedurave ligjore dhe vendimeve gjyqësore të miratuara nga autoritetet shqiptare. Kokunov, lindur më 10.02.1964 në Rusi, u arrestua në Shqipëri më 26.08.2023 dhe fillimisht iu caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për 40 ditë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër më 29.08.2023. Me vendim të ri më 04.10.2023, kjo masë u shndërrua në “Arrest në burg” pa afat, për të mundësuar vazhdimin e procedurave të ekstradimit.
Në kuadër të përgatitjeve për ekstradimin, më 26.09.2024 Ministria e Drejtësisë kërkoi informacione për gjendjen ligjore të Kokunov. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi se ai mbahej për efekt të masës së sigurimit “Arrest në burg”, pa afat. Pas miratimit të ekstradimit nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe konfirmimit nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, Ministria e Drejtësisë miratoi ekstradimin më 14.10.2024.
Ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov u krye më datë 30 tetor 2024, në orën 16:45, sipas proces-verbalit të nënshkruar në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, ku ai u dorëzua autoriteteve ruse. Më datë 31 Tetor 2024, Ministria e Drejtësisë u njoh zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa me email Gjykata njoftoi Ministrinë e Drejtësisë në orën 17:53 të datës 30 tetor, jashtë orarit zyrtar. Ky vendim, i marrë nga Gjykata Kushtetuese në datë 30.10.2024, ora 17:15, urdhëronte pezullimin e përkohshëm të procedurave të ekstradimit deri në një vendimmarrje të dytë nga kjo gjykatë (shih vendimin).
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.