Gratë të cilat ndodhen në institucionet penale dhe kanë fëmijë, ligji i mundëson që të takojnë fëmijët e tyre të paktën 4 herë në muaj. Ndërsa nënat që fëmijët i kanë në shtëpitë e fëmijës i takojnë 2 herë në muaj.
Për ato gra, fëmijët e të cilave ndodhen në Shtëpitë e Fëmijës në Tiranë, institucioni mundëson vajtjen e tyre një herë në muaj. Gjithashtu, stafi i shtëpisë së fëmijës bën të mundur shoqërimin e fëmijëve një herë në muaj për të takuar nënat në institucionin penal që janë duke vuajtur dënimin.
Me rastin e festave të ndryshme si dhe festën e 8 marsit, institucionet penale në të cilat janë duke vuajtur dënimin gratë, organizojnë aktivitete të veçanta me nënat dhe fëmijët. Gjithashtu, gjatë kohës që gratë ndodhen në institucion, stafi i edukimit mban lidhje me familjen ose shtëpinë e fëmijës, për të vënë në dijeni gratë për fëmijët.
Për gratë të cilat porsa kanë lindur, pranë IEVP Ali Demi, është ngritur një çerdhe ku nënat mund të qëndrojnë me foshnjat e tyre, tre herë në ditë në orare të ndryshme. Gjatë kohës së mungesës së nënave, për foshnjat e porsa lindura kujdeset një staf mjekësor në shërbim 24 orësh.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.