Fjala përshëndetëse
Z. Miklovan Kopani, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve
I Nderuar Zoti Stork,
E Nderuar Zj. Dijk,
Të Nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë për mua t’ju uroj mirëseardhjen dhe të jem pjesë në prezantimin e projektit më të ri në sistemin e burgjeve “Përmirësimi i mbrojtjes së drejtave të burgosurve në Shqipëri”. Ky projekt vjen në një fazë tejet të rëndësishme të zhvillimit dhe reformimit të sistemit të burgjeve, si dhe në një perspektivë me të gjerë shërben si instrument mbështetës për avancimin e vendit tonë në rrugën e gjatë të procesit të integrimit evropian.
Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka treguar në vazhdimësi mbështetjen e iniciativave që në themel kanë përmirësimin e standardeve të trajtimit të personave me liri të kufizuar. Me nënshkrimin e akteve të rëndësishme ndërkombëtare si Konventa e të Drejtave të Njeriut dhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, vendi ynë ka marrë përsipër të bëhet garant për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, si dhe rekomandimet e dhëna nga Bashkimi Evropian kanë ndikuar në hartimin e politikave për të siguruar një trajtim sa më njerëzor e jo denigrues të personave me liri të kufizuar.
Sigurimi i të drejtave të personave me liri të kufizuar nuk është thjesht një detyrim ligjor, por përbën vlerat dhe parimet mbi të cilat funksion një shtet ligjor. Nuk është e rastësishme që qëndrimet e promotorëve të drejtave të njeriut në botë prej shek. XIX kanë përcaktuar situatën në institucionet e burgimit si mekanizëm matës të funksionimit të demokracisë. Këto qëndrime janë më se relevante edhe në ditët e sotme.
Gjithashtu, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka parashikuar nene të veçanta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sigurimin e lirive themelore, të cilat në mënyrë të vazhdueshme kanë qenë objekt monitorimi dhe vlerësimi në progres raportin për vendin tonë.
Mbështetja e Bashkimit Evropian për reformimin e sistemit të burgjeve dhe përmirësimin e të drejtave të personave në kushtet e burgimit ka qenë e prekshme dhe me rezultate të matshme ndër vite. Në një perspektivë historike ka nisur me kontributin në hartimin e akteve të para ligjore për sistemin e burgjeve pas viteve 1990, për të vijuar më tej me investimet në infrastrukturë, asistencë teknike, si dhe rritje kapacitetesh të administratës të sistemit të burgjeve.
Implementimi i një politike të drejtë menaxhuese, marrja e përgjegjësive për ekzekutimin e vendimeve penale duke ruajtur balancën midis sigurisë dhe trajtimit human të personave me liri të kufizuar kanë qenë direktiva themelore të cilat janë përmirësuar ndjeshëm. Më mbështetje të partnerëve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, së fundmi, sistemi i burgjeve ri- dimensionoj politikat për menaxhimin e sistemit të burgjeve, duke i dhënë prioritet mbrojtjes së drejtave të grupeve vulnerabël në burgje, ri-vlerësimin e rrezikshmërisë së burgosurve, sistemin e motivimit për stafin, si dhe rritjen e transparencës me publikun.
Projekti për përmirësimin e mbrojtjes së drejtave të burgosurve në Shqipëri ofron një dimension të ri bazuar në qasjet më të fundit bashkëkohore për respektimin dhe trajtimin e personave me liri të kufizuar. Jemi të vetëdijshëm se tashmë kemi hyrë në një epokë të re, ku bashkëpunimi nuk është zgjedhje por mënyrë për të arritur qëllime thelbësore të organizimit dhe funksionimit të sistemit të burgjeve.
Duke iu referuar aktiviteteve të planifikuara, si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve kam bindjen personale se ky projekt do të shërbejë si një platformë zhvillimi dhe do të arrijë objektivat e synuara që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të burgosurve në Shqipëri. Gjithashtu, dëshiroj të siguroj bashkëpunimin me palën zbatuese të projektit, duke vënë në dispozicion gjithë burimet e nevojshme.
Si përfundim, do të shtoja se trajtimi njerëzor i personave me liri të kufizuar është edhe një obligim human. Sistemi i Burgjeve nuk është sistem ku personat përveç dënimit të gjykatave të marrin dënime të tjera, por është një sistem që veprimtarinë e bazon në trajtimin rehabilitues dhe të sigurisë për gjithë shoqërinë. Vetëm një bashkërendim i përpjekjeve të gjithsecilit dhe institucioneve që përfaqësojmë, mund të sigurojë respektimin e të drejtave të personave me liri të kufizuar.
Faleminderit për vëmendjen tuaj.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.