» Mbi zhvillimin e Analizës Vjetore të Vitit 2016 të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Postuar më: 27/01/2017

Mbi zhvillimin e Analizës Vjetore të Vitit 2016 të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve

Më datë 26 janar 2016 në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi analizën vjetore të vitit 2016. Në analizë mori pjesë Ministri i Drejtësisë Z. Ylli Manjani, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Z. Miklovan Kopani, drejtuesit e Institucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale dhe shefat e sigurisë, si dhe staf i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë theksoi rëndësinë e rritjes së profesionalizmit të stafit të burgjeve dhe forcimin e integritetit gjatë kryerjes së detyrave funksionale. Duke e konsideruar Sistemin e Burgjeve si një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë, evidentoi forcimin e bashkëpunimit me prokurorinë dhe agjenci të tjera ligjzbatuese.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve paraqiti një panoramë të përmbledhur të arritjeve dhe sfidave kryesore të Sistemit të Burgjeve gjatë vitit 2016. Ai vuri në dukje se “viti 2016 nuk ka qenë një vit i lehtë sa i përket sfidave me të cilat është përballur sistemi i burgjeve. Ndër përpjekjet më konstante ka qenë implementimi i një politike të drejtë menaxhuese, marrja e përgjegjësive për ekzekutimin e vendimeve penale duke ruajtur balancën midis sigurisë dhe trajtimit human të personave me liri të kufizuar, sigurimin e së drejtës së personave me liri të kufizuar për të paraqitur kërkesë ankesat e tyre dhe sigurimin e konfidencialitetit. Gjithashtu, “ka pasur disa zhvillime pozitive duke pasur në fokus trajtimin e personave me liri të kufizuar. Janë marrë një sërë masash të cilat kanë nxitur llogaridhënien e institucioneve, kanë rritur përgjegjshmërinë në kryerjen e detyrave funksionale dhe kanë krijuar premisa për zhvillimin, menaxhimin dhe operacionalitetin e sistemit të burgjeve bazuar në modele të suksesshme të vendeve të Bashkimit Evropian.